Europa dhe privatësia e përdoruesve të internetit

Lini një koment

Large Man Looking At Co-Worker With A Magnifying Glass

100 mijë “tweet” në minutë, një milion komente në “Facebook” në çdo 2 minuta. Çdo ditë publikojmë një sasi shumë të madhe të dhënash, të cilat teorikisht nuk do të zhduken kurrë. Dy ditë më parë në Strasburg u prezantuan dy projekte që mund ta ndryshojnë tërësisht botën e të lundruarit online. Ato do të përpiqen që të mbrojnë të drejtën e harresës në epokën e rrjetit. Por rruga e tyre parlamentare paraqitet problematike

Nuk do të të harroj kurrë, nuk është një premtim, por një kërcënim. Ishte viti 1998 kur blogeri Joseph Daniel Lascia shkruan në një nga sajtet që konsiderohen si bibla e kulturës dixhitale: “Salon”: “Interneti nuk harron kurrë”. Joseph në atë kohë kishte kuptuar gjithçka dhe të mendosh se nuk kishte parë ende Web 2.0, ku përdoruesit e rrjetit e ndryshojnë përmbajtjen e sajteve në mënyrë të vazhdueshme duke përditësuar statusin e tyre, duke postuar fotografi, duke biseduar dhe komunikuar me të gjithë në mënyrë frenetike. Flasim për një sasi të dhënash personale jashtëzakonisht të madhe, të cilën vetë e bëjmë publike pa menduar gjatë. Sipas një statistike, brenda një minute hidhen 100 mijë “tweet”, një milion komente bëhen çdo 2 minuta, në rrjetin tjetër social “Facebook”. Teorikisht asgjë nuk zhduket nga ajo që është thënë, apo hedhur në internet. “Zoti fal dhe harron, por rrjeti kurrë”, ka deklaruar komisionerja europiane Viviane Reding gjatë këtyre dy viteve të fundit, ku së bashku me garantuesit europianë të privatësisë, ka përgatitur një material monumental. Një material që synon të ndryshojë përgjithmonë atë që konsiderojmë si mbrojtje të të dhënave personale. Pyetja që bëhet është: A kemi të drejtë që të fshijmë, apo heqim nga rrjeti ato të dhëna që janë personale, që i kemi postuar vetë ne, madje qoftë edhe shumë kohë më parë, por edhe ato që i kanë postuar të tjerët dhe që mund të na dëmtojnë personalisht?

Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje gjendet në dy komplekse normash dhe parimesh, që dje janë paraqitur në Parlamentin Europian, por që komisionerja Reding i ka prezantuar si “Digital Life Design”, në një konferencë të madhe për kulturën në Monako, ku ishin të pranishëm gjigantët e internetit nga “Facebook” e deri te “Google”, të cilët të gjithë janë në një pritje të ankthshme për t’u njohur me disiplinën e re që ka të bëjë me mënyrën e drejtpërdrejtë dhe që mund të ndryshojë në mënyrë rrënjësore përdorimin e internetit. Le të shohim se përse bëhet fjalë. Pika e parë ka të bëjë me një direktivë, që do të thotë se pas aprovimit të materialit ai do të implementohet nga çdo vend. Bëhet fjalë për mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve për çështje gjyqësore, të sigurisë dhe politikës. Në këtë kuadër: “parashikohet detyrueshmëri në komunikim të trajtimit të të dhënave të tuteluara për ata që kanë qenë objekt i vëmendjeve nga ana e autoriteteve”. Pika e dytë e materialit ka të bëjë me rregullimin e të gjitha rasteve të tjera, veçanërisht internetin. Kjo do të thotë se kur të aprovohet paketa do të përmbajë një normativë për aplikim të menjëhershëm në Europë, duke siguruar të njëjtën mbrojtje të të dhënave në të gjithë Bashkimin Europian”. Bëhet fjalë për një thjeshtëzim që do t’u mundësojë atyre që duan të operojnë në Europë që të kenë një kuadër referimi të qartë. Gjërat që të bien në sy të këtij rregullimi janë: 1) nuk do t’i takojë më qytetarit të demonstrojë paligjshmërinë e përdorimit të të dhënave të tij, por titullarit të të dhënave; 2) konsensusi për përdorimin e të dhënave personale duhet të jetë i qartë; 3) humbja eventuale e të dhënave duhet që të komunikohet menjëherë (brenda 24 orësh); 4) administrata publike dhe bizneset me mbi 50 punonjës duhet që të marrin në punë një “oficer të mbrojtjes së të dhënave; 5) nëse do të bëhet ndonjë përdorim i paligjshëm i të dhënave personale është shefi ai që do të mbajë përgjegjësi personale për një veprim të tillë; 6) çdo mjet i ri teknologjik, por edhe një aplikim i thjeshtë duhet që të vlerësojë impaktin që përdorimi i tij do të ketë mbi privatësinë e individëve.

A mos vallë kemi të bëjmë me një revolucion të vërtetë? Mund të thuhet se kemi të bëjmë me futjen e disa normave shumë të rëndësishme që parashikojnë veç të tjerash edhe sanksione të mëdha deri në 1% të faturimit, që në rastin e “Google” apo “Facebook” janë shifra jashtëzakonisht të mëdha, për shkak se fitimi i tyre është i jashtëzakonshëm. Por ndërkohë duhet thënë se për shumë gjëra rrjeti, interneti ka qenë gjithmonë një hap përpara. Kështu për shembull “Facebook”, që në të shkuarën është përballur me polemika të ashpra për një sjellje më të drejtë ndaj të dhënave personale të përdoruesve të rrjetit social, sot i lejon pikërisht përdoruesit të tij që të verifikojë të gjitha të dhënat që ai ka hedhur, të modifikojë lehtësisht gjithçka që ka të bëjë me privatësinë, si dhe të fshijë përgjithmonë profilin e vet vetëm me dy klikime. Pas klikimit të parë shfaqet një tabelë, në të cilën paralajmërohesh se nëse do të klikosh edhe për herë të dytë shokët do ta ndiejnë mungesën tënde.

Për sa i takon “Google”, që gjithashtu është përfshirë në polemika për faktin e ruajtjes së gjurmëve të të gjitha klikimeve tona në këtë motor kërkimi, sot pikërisht “Google” ka vënë në dispozicion të përdoruesve një panel për të fshirë të dhënat e hedhura, si dhe një modalitet navigimi tërësisht anonim.

Mbetet problemi i fshirjeve të gjërave që kanë të bëjnë me ne, por që shkruhen, apo postohen nga të tjerët. Për shembull një faqe e “Wikipedias”. Disa vjet më parë bëri shumë bujë rasti i dy gjermanëve të dënuar për vrasjen e një aktori të famshëm, të cilët kishin kërkuar që emri i tyre të hiqej nga faqja personale e viktimës, duke qenë se e kishin kryer tashmë dënimin. Kjo polemikë shpërtheu kur gazetat hodhën online arkivat e tyre. Kështu, falë motorëve të kërkimit është shumë e lehtë që të gjithë të gërmojnë në të shkuarën e të gjithëve, por në shumë raste kjo shkakton edhe trauma të vërteta familjare, për shembull si në rastin kur një nip zbuloi faktin e përdhunimit të gjyshes, apo falimentimit të gjyshit. Dhe nuk bëhet fjalë aspak për raste të kufizuara, por për një fenomen shumë të gjerë dhe fatkeqësisht shpesh me pasoja të pakëndshme për njerëz krejtësisht të pafajshëm. Një nga propozimet e bëra ishte që gazetat të hidhnin arkivat e tyre online, por t’i bënin të “padukshëm” në rastin e motorëve të kërkimit, pra përmbajtja e tyre të mos shfaqej në to. Ndërsa tani ndërhyjnë normat që pritet të aprovohen dhe që pikërisht në lidhje me këtë problem e bëjnë të qartë: “Arkivat e gazetave janë një përjashtim dhe e drejta për t’u hartuar nuk mund të anashkalojë të drejtën e fshirjes së historisë”.

Ky përjashtim, sipas disave, mund të mos dalë si i mjaftueshëm, duke parë që sot një pjesë e madhe informacionit nuk del në gazetat zyrtare, por në blogjet dhe sajtet e të ashtuquajturit “Cirizen Journalism”. Sipas disa kritikëve, nuk është diçka e mirë që të fshihen apo hiqen informacionet për ne që nuk duam të dalim në internet. Sipas një juristi të internetit dhe problemeve të çështjeve të rrjetit, nëse do të ndodhë një gjë e tillë, atëherë pas 100 vitesh kur do të duan që të gërmojnë për epokën tonë, do të dalin të gjithë të mirë dhe të paqtë, sepse të gjitha historitë e rënda dhe kriminale do të jenë zhdukur.

Më 1 shkurt nis rruga parlamentare që parashikohet të jetë e vështirë dhe të zgjasë me debate e diskutime nga më të ndryshmet. Dhe jo vetëm për shkak të reagimeve të pritshme të botës së rrjetit. Deri tani “Google” dhe “Yahoo” nuk kanë pranuar që të bëjnë komente. Nga “Microsoft” vijnë disa lajme, sipas së cilës krerët e kompanisë druhen se do të caktohen rregulla shumë të forta, ndërsa sa për “Facebook” ajo ka ndjekur rrugën e ironisë, duke lëvduar këmbënguljen e komisioneres europiane në krijimin e vendeve të reja të punës, sipas projektit dhe duke pyetur se cilat do të jenë mënyrat e gjetura prej saj për të tuteluar me të vërtetë të drejtat e përdoruesve të internetit.

Sipas ekspertëve, bëhet fjalë për një përpjekje juridike shumë të madhe dhe të rëndësishme, për një rrugë krejtësisht të re që do të sjellë ndryshime të mëdha në mënyrën e përdorimit të internetit. Bëhet fjalë për një material me thuajse 100 nene. Gjithsesi ajo që pyesin të gjithë specialistët dhe mbështetësit e projektit është: A do t’ia dalë ky projekt me të vërtetë që të mbrojë dhe të ruajë privatësinë e përdoruesve të internetit dhe deri në çfarë mase?

Umberto Eco: Kultura, jo lufta duhet të çimentojnë identitetin europian

Lini një koment

Umberto Eco

Eco, shkrimtari dhe semiologu i famshëm, shndërrohet në një avokat të revolucionit seksual, që sipas tij do të na bëjë më në fund të gjithëve “europianë”

Jashtë dritares së zyrës së Umberto Eco-s në Milano shfaqet peizazhi, brenda të cilit ndodhet edhe kështjella e famshme Sforzesco, që u kujton të gjithëve luftërat e kohëve të shkuara. Dikur, aty, në shekullin e 14, ndodhej porta e famshme Castrum Portae Jvis (porta e kështjellës së Jupiterit) – që u shkatërrua nga jetëshkurtra Aurea Republic më 1447-n. Mes këtyre mureve, Leonardo da Vinçi dhe Donato Bramante kanë punuar për njëfarë kohe dhe vetë Napoleoni po dikur i pushtoi për njëfarë kohe. Dhe pikërisht përtej hendekut – tashmë një zonë që është e “pushtuar” vetëm nga turistët që vijnë për të parë “Mëshirën” e Mikelanxhelos – trupat austriake të marshallit Radecki bombarduan qytetin në revoltë në vitin 1848.

“Kur vjen fjala te kriza e borxheve, thotë Eco, dhe jam duke folur si dikush që në të vërtetë nuk kupton asgjë në lidhje me ekonominë, ne duhet të mos harrojmë se është kultura, jo lufta, ajo që çimenton identitetin tonë europian. Francezët, italianët, gjermanët, spanjollët, britanikët kanë kaluar shekuj të tërë në përpjekje për të vrarë njëri-tjetrin. Sot kemi 70 vjet që jemi në paqe dhe askush nuk e kupton sa e mrekullueshme është një situatë e tillë. Të gjithë e marrin si të mirëqenë paqen e kuptuar se sa e rrallë dhe e çmuar, por edhe vështirë dhe e trazuar ka qenë. Në fakt, edhe thjesht ideja e një lufte mes Italisë dhe Spanjës, ose Italisë dhe Gjermanisë shkakton ilaritet. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin nevojë për një luftë civile, për t’u bashkuar siç duhej, edhe njëherë e përgjithmonë. Unë vetëm shpresoj që kultura dhe jo lufta do të shërbejnë në fakt për të bashkuar Europën”. Eco pi i qetë filxhanin e tij të ekspresit, të cilin e pëlqen shumë. Ai sapo është kthyer nga Parisi në Milano, ku Presidenti francez Sarkozi i ka dhënë gradën e tretë të titullit të “Legjionit të Nderit”. “Një nga avantazhet e të jetuarit në Europë për mua është se marr kartolina për ditëlindje nga Presidenti gjerman Wulff apo Kryeministri spanjoll Rajoy, të cilët nuk i njoh aspak personalisht. Më në fund, pasi ia kemi nxjerrë sytë për shekuj njëri-tjetrit, jemi të gjithë europianë të kulturuar”. Po cili është sipas Eco-s identiteti europian në vitin 2012. “Për këtë po përdor një fjalë në anglisht, që nuk ka të njëjtin kuptim si në italisht ‘superficiale’, por që është diçka mes fjalës ‘sipërfaqe’ dhe ‘thellë”. Ne duhet ta ndryshojmë një gjë të tillë, para se kriza të majisë gjithë Europën. Programi universitar i shkëmbimeve Erazmus zakonisht përmendet shumë pak e megjithatë Erazmus ka krijuar brezin e parë të europianëve të rinj. Unë e quaj atë revolucioni seksual: një katalan i ri takohet me një vajzë valone dhe ata dashurohen, martohen dhe kështu shndërrohen në europianë sikundër në europianë shndërrohen edhe fëmijët e tyre. Ideja e Erazmusit nuk duhet që të përqendrohet vetëm te shkëmbimet arsimore, por për të gjithë, për shoferët e taksive madje, mekanikët dhe punëtorë etj. Me këtë dua të dal tek ajo që të gjithë duhet që të kalojmë kohë në vendet e tjera, të njihemi me njëri-tjetrin dhe të integrohemi”.

Kjo është një ide shumë tërheqëse e megjithatë, krenaria në Europë duket se i ka dhënë rrugë populizmit dhe armiqësive brenda Bashkimit Europian. “Kjo është arsyeja se përse identiteti ynë është i përciptë. Etërit themelues të Europës – Denaueri, De Gasperi dhe Monnet mund të kenë udhëtuar shumë më pak gjatë jetëve të tyre. De Gasperi fliste vetëm gjermanisht, sepse ai kishte lindur brenda kufijve austro-hungarezë dhe nuk kishte sigurisht akses në internet për të lexuar shtypin e huaj. Europa reagoi ndaj luftës dhe ata i ndanë burimet për të ndërtuar paqen. Tani ne duhet që të ecim më tej, për të ndërtuar një identitet më të thellë. Kur propozova në një takim të kryebashkiakëve të Bashkimit Europian idenë e krijimit të një programi Erazmus edhe për zanatçinjtë dhe profesionistë të fushave të ndryshme një kryebashkiak nga Uellsi më tha: “Qytetarët e tij nuk do ta pranojnë kurrë një gjë të tillë! Ndërsa kur dola për një ide të tillë në televizionin britanik, e pashë padurimin e drejtueses së emisionit, e cila e kishte gjithë hallin dhe sikletin të më pyeste për krizën e euros, apo për idenë e një Europe superkombëtare dhe për qeveritë teknike të Papadhimos dhe Montit. Edhe para krizës së borxheve, identiteti i dobët europian ishte me shumë probleme. Kjo për shembull u pa kur Kushtetua u refuzua nga referendumet e Francës dhe të Holandës në vitin 2005. Ishte një dokument i shkruar nga politikanët dhe nuk ishte diskutuar kurrë më parë me votuesit. Edhe kur Papa Vojtila ishte ende gjallë, kishte shumë debate për pranimin e Kushtetutës europiane dhe rrënjëve të saj të krishtera. Në këtë rast predominuan sekularistët dhe ata nuk bënë gjë për këtë. Kisha protestoi. Por kishte ndërkohë edhe një rrugë të tretë, më të vështirë, por një rrugë që sot do të na jepte forcë. Ky do të kishte qenë debati për Kushtetutën dhe për të gjitha rrënjët tona greko-romake, hudaike dhe të krishtera. Në të shkuarën kishim Venusin dhe kryqëzimin, Biblën dhe mitologjinë nordike, të cilën e kujtojmë përmes pemës së Krishtlindjeve apo festivaleve të shumtë të Shën Lusit, të Nikolasit apo Santa Klausit. Europa është një kontinent që ka qenë në gjendje të thithë shumë identitete dhe të mos i bëjë lëmsh. Pikërisht kështu e shoh unë të ardhmen. Sa i takon feve duhet të kemi kujdes. Shumë njerëz që nuk shkojnë më në kishë, përfundojnë pre e supersticioneve. Dhe janë të shumtë ata që edhe pse nuk janë praktikantë, mbajnë me vete në kuletat e tyre fotot e Padre Pios”, thotë Eco. Ati i semiologjisë, shkencëtar me një kulturë jashtëzakonisht të madhe, autor esesh për elitën dhe romaneve që janë shndërruar në bestseller globalë, Eco ka mbushur 80 vjeç dhe me humor thotë: Eh nuk jam më një i ri 70-vjeçar. Ai megjithatë nuk është pesimist: “Me të gjitha defektet e tij, tregu global e bën luftën më pak të mundshme madje edhe atë që mund të ndodhë mes Kinës dhe SHBA-së. Europa nuk do të jetë kurrë Shtetet e Bashkuara të Europës, pra një vend unik me një gjuhë të vetme dhe për këtë, sa më shpejtë të bindemi aq më në paqe do të jemi me SHBA. Ne kemi shumë gjuhë, shumë kultura dhe ideja e një Europe unike është një utopi”.

Dragoi kinez, viti i ndryshimeve drastike

Lini një koment

Në mite dhe përralla, dragonjtë hedhin zjarr nga goja dhe mbajnë peng princeshat, derisa ato më në fund shpëtohen nga heronjtë. Por kur dragoi i astrologjisë kineze mbërriti me vitin e ri hënor, ditën e hënë, krijesa mitike ka sjellë me vete optimizëm dhe shpresë për kohë më të mira për të gjithë në vitin 2012.

Dragoi është shenja më e fuqishme nga të 12 shenjat e horoskopit kinez dhe lidhet me energjinë e madhe dhe begatinë. Është njëherazi e vetmja krijesë mitike në horoskopin kinez, që në fakt është e përbërë nga kali, derri, demi, bretkosa e të tjera kafshë të botës tokësore. 2012-a konsiderohet veçanërisht i mirë, sepse është viti i dragoit të ujit, një përkim që ndodh një herë në 60 vjet. Dragoi është simbol i fuqisë dhe kontrollit superior. Nuk është aspak i keq, përkundrazi. Dragoi është një simbol i mirë, që përfaqëson edhe ndryshimin dhe lëvizjen. Viti i dragoit do të sjellë ndryshime për të gjithë dhe zakonisht bëhet fjalë për ndryshime të mira, pra kalohet nga një situatë jo e mirë në një situatë të mirë.

 

Zakonisht në vitin e dragoit, ekonomia botërore shkon mbarë dhe duke qenë se ekonomia botërore, sidomos këto vite, ka qenë në lëvizje dhe ndryshim të vazhdueshëm, mund të thuhet se të paktën në fund të këtij viti do të ketë ndryshime pozitive. Mbi të gjitha, ky vit i dragoit vjen pas atij të lepurit, simbol që zakonisht përfaqëson mungesën e stabilitetit. Ata që merren me astrologjinë kineze thonë se ky vit ka të ngjarë që të ketë tiparet e 1987-s për sa i përket mundësisë së rindërtimit dhe rimëkëmbjes ekonomike. Edhe atëherë, nga një vit i keq i lepurit u kalua në vitin e dragoit, pra në 1988-n, që ishte një vit më i mbarë, më i mirë, më i qetë dhe më i stabilizuar se viti 1987.

 

Në mitologjinë kineze dhe në folklore ka shumë përralla dhe rrëfime për dragoin. Bëhet fjalë për një periudhë 5000 vjet më parë, kur tributë kineze luftonin kundër njëra-tjetrës. Në atë kohë, tribuja e perandorit të verdhë ishte më e fuqishmja dhe e bashkua me tributë e tjera, përfshi atë të feniksit, luanit dhe gjarprit, duke formuar tribunë e famshme të dragoit. Kjo është arsyeja se kur sheh për shembull kthetrat e dragoit ato janë si kthetrat e luanit dhe tigrit të gjëra bashkë. Ndërkohë që bishti i ngjan atij të akrepit, ndërsa trupi i dragoit është si trupi i gjarprit, shumë fleksibël dhe i lakueshëm dhe i përkulshëm, ndërsa koka është si një kokë e madhe luani. Me fjalë të tjera, dragoi është një kombinim i karakteristikave dalluese të shenjave të tjera të horoskopit kinez, që përbëhet nga kafshët në përgjithësi dhe dragoi mishëron në vetvete të gjitha kafshët e horoskopit, duke marrë prej tyre veç veçorive fizike, edhe fuqive. Pritet gjatë këtij viti një ‘baby bum’, ose një shtim i numrit të lindjeve në Kinë dhe në Tajvan. Në Azi, prej disa kohësh, është vënë re një tendencë e ulët në numrin e lindjeve dhe shtimit të popullsisë, që reflekton një preferencë te çiftet e reja për të pasur sa më pak fëmijë, e cila është pasqyrim i shoqërive perëndimore që shkojnë gjithnjë e më shumë drejt një familjeje pa fëmijë, ose me një fëmijë të paktën. Kjo për shkak të synimeve që kanë për përmirësimin e kushteve të jetesës së tyre dhe për avancim në karrierë. Por në vitin e dragoit duket se gjithçka në këtë drejtim do të ndryshojë. Një sondazh i kryer në Hong-Kong tregon se 70% e çifteve duan që të kenë fëmijë nën shenjën e dragoit, ndërkohë në Korenë e Veriut dhe në Vietnam vihet re gjithashtu e njëjta tendencë dhe i njëjti entuziazëm në lidhje me dëshirën e madhe për të pasur fëmijë nën këtë shenjë. Prej kohësh, viti i dragoit pritet që të ketë impakt të madh në çështjet e shtimit të popullsisë, përmes lindjeve në masë. Bëhet fjalë për lindjen e fëmijëve të dytë nga ata që e kanë një fëmijë tashmë dhe kishin vendosur që të mos sillnin në jetë fëmijë të tjerë.

Po si janë fëmijët që lindin në vitet e dragoit. Në këtë rast, bëhet fjalë për njerëz që kanë ardhur në jetë në vitet 1940, 1952, 1964, 1976, 1988 dhe 2000. Ata kanë shumë imagjinatë dhe plot energji dhe besojnë se mund të bëhen zotër të botës. Një njeri i lindur nën shenjën e dragoit ka një tërësi të madhe aftësish pozitive, madje shumë më tepër se të tjerët, por dragonjtë, si të gjithë qeniet e lindura në këtë tokë kanë dhe dobësitë e tyre. Një nga dobësitë e tyre është se ata nuk janë njerëz shumë praktikë dhe jo fort të shkathët në çështjet e përditshme, ndryshe nga çështjet madhore në të cilat janë vizionarë dhe shumë të saktë dhe të përqendruar. Ky vit mund të sjell ndryshime edhe në mendjen e njerëzve dhe për këtë, astrologët kinezë kanë një listë të tërë për ta bërë të ditur. Ata thonë se në të gjithë botën do të ketë një sërë ndryshimesh politike që do të vijnë përmes zgjedhjeve.

Bota e shpëtuar nga hartat

Lini një koment

Gjithçka nisi në Kenia. “Vendi po përjetonte një periudhë të begatë dhe ne donim të bënim diçka. Të gjithë kishin nga një celular dhe kështu krijuam një softuer që personat të mund t’i referoheshin me një sms dhunës së mundshme nëpër qendrat e votimit gjatë zgjedhjeve të vitit 2008”, tregon sot Erik Hersman bashkëthemelues i “Ushahidi” (“dëshmi” në gjuhën kiswahili), shtylla e parë e atij fenomeni të quajtur si “Crisis mapping”, d.m.th hartat dixhitale që të hapura dhe me akses për të gjithë, kanë ndryshuar përgjithmonë mënyrën e ndërhyrjeve humanitare. Përmes rrjeteve sociale, sms-ve, satelitët në kohë reale ose pothuajse, marrin informacione, foto dhe video nga vendi i një katastrofe që, të filtruara më pas në një hartë, i shërbejnë atyre që duhet të ndërhyjnë në “fushën e betejës” për të çuar ndihmat e para. “Gjatë një emergjence, 72 orët e para janë më kritiket, ato ku qarkullojnë mbi të gjitha informacionet: të njohësh zonat më të prekura, nevojat e popullsisë, rrugët që grupet e shpëtimit duhet të ndjekin”, shpjegon Erica Mattellone, eksperte e ndërhyrjeve humanitare në UNICEF. “Që kur ekzistojnë softuerët gjeografikë të ‘Google’ apo të ‘Ushahidi’-t, ‘open source’ shumë të lehtë për t’u përdorur, arrijmë të kemi koordinatat e një katastrofe edhe brenda pak orësh. Informacionet për zonat më të prekura të Japonisë të shkatërruar nga tërmeti dhe cunami i morëm përmes ‘Crisis Mappers’ brenda jo më pak se dy orësh”. “Crisis Mappers” është rrjeti i krijuar nga Jen Ziemke (nga Carroll University, Wisconsin) dhe Patrick Meier (i Tufts University), të dy të rinj studiues të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ekspertë në aplikacionin e teknologjive të reja në situata konfliktesh dhe krizash humanitare. Janë ata që koordinojnë prodhimin e hartave të krijuara nga vullnetarë të përhapur në të gjithë botën. “Nuk kemi një zyrë, nuk jemi të regjistruar në asnjë anë, por jemi të pranishëm në më shumë se 140 vende”, thotë Jen Ziemke. “Jemi animatorët e organizatave apo persona të veçantë, që menjëherë pas një katastrofe, takohen të punojnë së bashku në mënyrë virtuale”. Vullnetarët mund të jenë hakera, programues, gjeografë, ekspertë të sistemeve GIS apo menaxherë uebi. Nga ana e tyre ata duhet të mbështeten te puna e personave jo ekspertë, por që për shembull, njohin gjuhën e vendit ku ka ndodhur katastrofa. Pas tërmetit të Haitit, dy vjet më parë, ata që “përkthyen” kërkesat e ndihmës që mbërritën në vend e që udhëzuan punonjësit e shpëtimit se si të lëviznin nëpër rrugët e Port-au-Prince, ishin haitianët e diasporës dhe para të gjithëve, punonjësit e sigurisë dhe rojet që punojnë në kampusin e Meier. “Duhen njohjet e të gjithëve për të kuptuar në mënyrë korrekte të dhënat”, shpjegon Hersman. “Ndërkaq për të pasur hartat e krizës (crises map) dhe azhurnimin në kohë reale, u duhen dhënë detyra shumë precize një numri të madh personash”. Vullnetarët klasifikojnë informacionet dhe studiojnë videot dhe fotot e marra nga rrjetet sociale, shpeshherë edhe tronditëse, për të marrë informacione të freskëta apo konfirmime për episode që pastaj lokalizohen në harta shumë të sofistikuara si ato satelitore të “GeoEye”, “Esri” e NASA, apo ato më të thjeshtat të “Google” dhe të “OpenStreetMap”. Tërmeti i dy viteve më parë në Haiti ishte prova e tmerrshme kur “crisis mapping” prishi përfundimisht raportin mes organizatave tradicionale të ndihmës humanitare (OKB dhe Kryqi Kuq në krye) dhe vullnetarët. Gjatë emergjencës u vu një numër falas (4636) ku mund të dërgoje sms me kërkesa për ndihmë: erdhën 80 mijë mesazhe. “Duke shkarkuar pamjet para dhe pas tërmetit mund të themi se kontributi i ‘Crisis Mappers’ shkoi përtej pritshmërive”, shkruajnë aktualisht në një raport, analistët e OKB-së bashkë me Harvard Humanitarian Initiative.

Gjatë ditëve të tmerrshme të Haitit, për herë të parë “Ocha”, organizata e OKB-së që koordinon ndërhyrjet humanitare, ia delegoi punën e monitorimit të situatave qindra vullnetarëve, e kështu vetëm brenda 35 orëve rrjeti i “Crisis Mappers” arriti të ndërtojë hartën më reale të tragjedisë që po ndodhte. Vetë kjo hartë u bë burimi më i përdorur nga punonjësit e shpëtimit gjatë muajit të parë.

Ekspertët

“Një thesar dixhital, i krijuar nga qytetarët”

Kush gjen një hartë, gjen një thesar: me internetin kjo bëhet edhe më e vërtetë

Miliona persona në botë përdorin “Google Maps”, çfarë kishte më përpara?

Hartat dixhitale lindën mes viteve ‘80 dhe ‘90 si mjete për teknikët nën emrin GIS. Kalimi në ueb u bë fare natyrshëm: para “Google Maps” ekzistonin shërbimet e ofruara nga “Microsoft” (Virtual Earth), “Yahoo” (Yahoo Maps), “Mapquest”, “Map24”. Në vitin 2004, erdhi “Google Maps” që spikati si një shërbim falas dhe ndërveprues.

“Google Maps” konsiderohet një sukses i madh. Përse në vitin 2004 lindi edhe “OpenStreetMap”?

Tek “Google Maps” përdor një shërbim, por nuk mund të përdorësh të dhënat për ta bërë analizën ashtu si ne duam. “OpenStreetMap” lindi me idenë vizionare të Steve Coast, për të pasur një hartë të botës të krijuar nga vullnetarët si, njëlloj si “Wikipedia”, por për hartat. Kjo e lejoi të kalonte disa limite të “Google Maps”. Rasti i Kibera-s është një nga më të jashtëzakonshmit.

Çfarë është Kibera?

Është një fshat i largët me 15 mijë banorë në Nairobi, që nuk shfaqet në asnjë hartë. Me “Google Maps” nuk duket asgjë. Për këtë arsye, një grup vullnetarësh i dhanë jetë projektit “MapKibera.org.”, mësuan banorët e këtij vendi për të krijuar hartën e tyre, duke përdorur Gps dhe të gjitha mjetet që ofron “OpenStreetMap”.

Cilët janë hartografët e rinj, kjo ushtri vullnetarësh?

Në “OpenStreetMap” janë aktivë 500 mijë përdorues që shpesh janë ekskursionistë, çiklistë apo blogerë.

Stefan Cvajg, diamanti tragjik

Lini një koment

Nga Albert Vataj

Zemërat për një luftë të padrejtë, persekucioni ndaj popullit hebre, lëngimi prej përgjegjësisë së fajit, ikja dhe pamundësia për të rifilluar, për të ridalë rishtaz në arenë, thyerja e qiejve dhe krahëve, skërmitja e dhëmbëve të ikjes, i zunë pusi dhe e ndalën për të mos vijuar më tej, atë që do të mbeste pena më brilante e letërsisë.

Si sot, 70 vjet më parë, në mëngjesin e 23 shkurtit të vitit 1942, në Gonçales Dias 34 në Petropolis dera e dhomës së gjumit qëndroi e mbyllur deri pak para pasdites. Më në fund, personeli i shtëpisë u shqetësua dhe alarmoi policinë, e cila e hapi derën menjëherë ku gjeti nje burrë dhe një grua, të dy të veshur të shtrirë mbi shtrat. Ky i vdekur ishte shkrimtari Stefan Cvajg, me prejardhje austriake, i cili para pak muajsh ishte bërë nënshtetas anglez, po atë ditë kishte mbushur gjashtëdhjetë vjeç, e vdekura ishte bashkëshortja e tij, Elisabetë Charlotte

I zhgenjyer, i izoluar dhe larg Europës, Stefan Cvajg kreu vetëvrasjen së bashku me gruan e tij, pranë Rio de Janeiro, 70 vjet më parë, më 23 Shkurt, 1942. Me urdhër të diktatorit brazilian Getulio Vargas, shpenzimet e varrimit të Cvajg u paguan nga shteti. Një ditë para se të vriste veten, Cvajg dërgoi në shtyp librin “Bota e së djeshmes”, i cili u botua pak muaj pas vdekjes.

 

Kurrkush deri asokohe, tash, e në qasjen për nga vijimësia e qëmtesave dhe kumtesave tekstshkruese, nuk ka mundur që nëpërmjet fjalës të depërtojë aq thellë, që nëpërmjet ligjërimit të tij magjik dhe të pashoq, të bëjë për vete miliona lexues, të përlotë sy dhe të thyej zemra.

Tançka në jetën e tij merrte mbi vete një tragjizëm dhe reflektonte në thellësinë e depërtimit hapësinor dhe shpirtëror. Plot 70 vjet më parë një ndër penat më brilante u thye, për të mbetur ndër autorët më të lexuar. Ai i dha fund jetës bashkë me gruan e tij të dytë, më 22 shkurt të vitit 1942, në Brazil, ku dhe kishte emigruar prej yshtjes ogurzez të kryqit të thyer. Ai ishte dhe mbeti deri në shtratin vetëflijimit një vjenez tipik. Krijimtaria e tij është e larmishme, plot ngjyresa dhe trajtesa të njëmendta, përplot ndjesi dhe mëtim joshëse. Në galerinë e kumteve, novelat zënë një vend të konsiderueshëm dhe mbartin një vlerë, ndoshta vetmitare në kryerendjen përnga naltësitë etiko-estetike, baotkuptimore dhe kunguese. Autobiografitë për korifejt e mendimit dhe epokave janë të pazevëndësueshme dhe të patëdyta për nga përtëritja dhe reinkarnimi i gjendjeve dhe hapsinave të atyre që u përjetësuan nga kjo penë brilante. Por gjithçka që shpirti i tij krijues gostiti në sofrën e madhe të botës së dijes ishte përplot më atë që vetë Cvajgu përjetoi. Ata hynë të gjithë tek ai dhe dolën prej andej me moshën e përjetësisë.

Në një plan tërësisht historik “Bota e djeshme” është Vjena dhe Evropa më 1914-ën, atje ku Stefan Cvajgu u rrit dhe pati sukseset fillimore, atje ku ai endi stadet e tij të intelektit, atje ku letërsia iu bë pasion i shpërthimeve të përhershme.  Pati gjithëpoaq mjeshtërore dhe miqësitë, prej të cilave zgrapcim ato me Frojdin, Rilken dhe Valerinë.

 

 

Çastin e takimit me Moisiun, Cvajgu e përshkruan kështu:

“Por natyrisht që e prita me gëzim, sepse e doja vërtet si vëlla atë njeri të zjarrtë e të përzemërt…. Portretin e Aleksandrit Cvajgu e përshkruan me një gjuhë jashtëzakonisht të pasur e magjepsëse:

“Shekulli ynë ishte në të hyrë, kur në skenën gjermane u dëgjua për herë të parë zëri i aktorit të panjohur; ishim në pritje të diçkaje të madhe, sepse ai zë nuk ishte si zërat e tjerë, në të kumbonin nota të reja, magjepsëse, origjinale, të tilla që të mbeteshin të paharruara në kujtesë po t’i dëgjoje qoftë edhe një herë të vetme. Zëri i tij ishte më harmonik, më depërtues, më melodioz, më i butë se zërat gjermanë, në të spikaste melodioziteti i ngrohtë, plot diell…”

Në vazhdim të këtij përshkrimi, duke lavdëruar dhe çmuar lart vlerat e këtij artisti të madh, që e adhuronte aq shumë, Cvajgu thotë: “Kush pati fatin e lumtur ta njihte nga afër, e di se gjëja që bënte më me pasion Aleksandër Moisiu ishin diskutimet dhe debatet për temat filozofiko-morale. Debatet e nxehta për këto tema nuk i harroj kurrë. Ku jeni, o net të gjata, kur rrinim tok me të, me mikun tim të shpirtit, me më të shtrenjtin e miqve, dhe ai merrte zjarr, jepte e merrte si dinte ai për çështje të filozofisë e të moralit! Sa mrekullisht bukur i rridhte gjuha, që i shprehte mendime të thella, sa me hijeshi dhe me madhështi krejt shpenguar…”

 

 

Jeta e tij nuk është kurrqysh ajo e një bohemi andrrallash dhe qëmtesazh gëluese. Përkundrazi fati nuk luan vetëm në anën e tij. Ironia pothuaj sa ceket në ngadhnjimin e tij mbi veten dhe të atypëratyshmen. Drama nuk përdoret kurrë deri në fund dhe psikologjia, me të gjitha ravgimet zemërthyerjet e pamëshirshme që gërmojnë në tabanin e çartun të botës së tij personale.

 

Ai është mjeshtri i impulseve të fshehura, i eksesve të pasionit, i dashurisë së çmendur, i dëshirave të shfrenuara, dhe i konfuzionit të ndjenjave, i thellësive të paimagjinueshme të emocionit njerëzor. Cvajgu, si biograf, u mor shumë me Dostojevskin, Verlenin, Niçen, dhe sigurisht Frojdin. Kjo ka lënë gjurmë në universin e tij letrar dhe shpjegon dëshirën e tij pothuaj libidinale për të depërtuar zonat më të errëta të shpirtit. Disa gjendje psikologjike kanë pushtet shqetësues mbi mua; më duket shumë intriguese të kërkoj shkaqet e tyre dhe thjesht prania e personazheve të jashtëzakonshme ndez tek unë dëshirën e zjarrtë për të ditur më shumë për ta, një dëshirë pothuaj aq e fortë sa dëshira për zotërim që gjendet te një grua. Stefan Cvajgu ishte kozmopolit, prototipi i çifutit pan-europian i emancipuar, i lirë nga çdo sistem besimi, me përjashtim të pacifizmit.

 

Përtej historive të pafundme që çdo burrë mund të ketë në jetën e tij, kur flitet për Cvajgun, çdo biograf flet për dy gratë që lanë gjurmë tek ai. Friderike dhe Lotta. Nëse kjo e para na jep pasqyrën e një gruaje të ndjeshme, të një zonje të vërtetë të letrave, Lotta, e cila e ndoqi pas deri në vdekje, vjen vetëm si një femër e dashuruar, ku për hir të saj edhe mund të sakrifikohet.

 

Një vetëvrasje e qytetëruar

Megjithatë, edhe këtu, si gjithmonë me Cvajgun, gjërat janë të turbullta. Ai gëlltiti një dozë fatale Veronali në moshën 60-vjeçare, për këtë arsye befasuese që e shpjegon në një letër që shoqëronte vetëvrasjen e tij: thjesht, nuk kishte fuqi «për një nisje të re». Ka diçka kaq të përulur dhe diskrete, të qytetëruar dhe të denjë në këtë arsye për t’u vetëvrarë, sa që një kritik i ka krahasuar fjalët e tij me një fjalim që mbahet kur merr një çmim ‘Oskar’. Më vetëvrasjen e tij, Cvajgu u fut në universin që kishte krijuar në librat e tij. Por edhe pse vetëvrasja ishte një akt i dëshpëruar afirmimi, tek ai përfaqësonte erozionin e ngadaltë të vullnetit, të qëllimeve dhe të dëshirës. Cvajgut këto nuk po i interesonin më.

 

Mund të merren me mend shumë arsye për vetëvrasjen e tij. Ishte e pamundur të ikje nga një botë në luftë – me gjithë sigurinë që ofronte vila luksoze e Petropolis në Brazil. Me gjithë lëvdatat që i thur vendit në tekstin Brazili, tokë e së ardhmes, ai ndihej i vetmuar rreth vilës së tij të heshtur. Edhe pse larg rreziqeve të luftës, Petropolis nuk mund t’i jepte asgjë nga klima sociale dhe intelektuale me të cilën ai ishte mësuar, edhe në Europën e zymtë të para Luftës.

 

Por, dhe mbi të gjitha, arsyeja e vetëvrasjes ishte shembja e botës së tij. “Gjithçka që vepra ime ka përfaqësuar përgjatë 40 vjetësh në botë, u shkatërrua”, shkruan në kujtimet e tij, Bota e djeshme: kujtimet e një europiani, të nisura gjatë qëndrimit të tij të shkurtër në Neë-York. Udhëtari i palodhur, i kohës midis dy luftërave, që kishte përqafuar gjithë botën, por që e dinte se një shtëpi e ngrohtë dhe mbrojtëse e priste në Vjenë dhe Salzburg, humbi busullën.

 

Nga Austria në Francë, duke kaluar nga Anglia, ShBA dhe së fundi Brazili i largët, ai duhet të jetë ndierë si një thes i hedhur në lumë. «Nuk i përkas më vetes. Një pjesë e identitetit natyror të qenies sime u shkatërrua përgjithmonë». Mund të ishte kënaqur me një jetë të re në Brazil, por kjo nuk bëhet kur je 60 vjeç; ashtu si ai shkruante, «bota e gjuhës sime u zhduk për mua dhe për universin tim shpirtëror, Europa u shkatërrua…» I flakur papritur në tymnajat e Historisë, ky njeri urban i Europës Qendrore u kthye në njeri të së djeshmes.

 

Por tronditja nuk ndodhi në vitin 1933 kur Hitleri u bë kancelar i Gjermanisë, as më 1 shtator 1939 kur Gjermania filloi Luftën e Dytë Botërore. Tronditja e vërtetë ndodhi në vitin 1914 kur «bota e sigurisë», siç e quante Cvajgu, u shkërmoq papritur. Meqë ishte i paaftë për shërbim ushtarak, u caktua në arkivat e Ministrisë së Luftës, por në vitin 1917, kur ishte me pushime në Zvicër, u shkarkua. Në Zvicrën neutrale, nën mbrojtjen e fituesit të çmimit ‘Nobel’ të vitit 1915 Romain Rolland, ai u bë pacifist i vendosur. Po në Zvicër, ai u ndërgjegjësua se ishte nga ata njerëz që, siç thoshte ai, jetonte gjendjen e «amfibisë», – d.m.th të qenit midis dy vendeve, midis dy gjuhëve, midis dy identiteteve, me pak fjalë, i mërguar.

 

Ai nuk e dinte se do ishte i fundmi «i amfibëve». Një ditë në Zyrih, Cvajgu po ndihmonte James Joyce që të përkthente në gjermanisht një fragment të vështirë të Portreti i artistit në rini. Të dy bashkë vendosën ta provonin me fjalë në frëngjisht, pastaj në italisht, para se t’i punonin në gjermanisht. Për habinë e madhe të austriakut, irlandezi, tre vjet më i ri se ai, jo vetëm e njihte anglishten më mirë se britanikët, por zotëronte “njohuri të pabesueshme të gjuhëve” – gjermanisht, frëngjisht, italisht.

 

Demonët e Cvajgut

 

Por shkathtësia intelektuale e shfaqur gjatë konfliktit më të egër që ka njohur njeriu, në vend që ta qetësonte Cvajgun se bota do ta kapërcente luftën, i kujtoi se bota e brishtë e perandorive të para Luftës, që e trajtonte kulturën si idealin më të dëshiruar, po venitej para syve të tij; ai vetë po kthehej në një vjetërsirë, në një hije të kësaj epoke të artë. Bota amfibe e kompozitorit Ferrucio Busoni (një pjesë gjermane, një pjesë italiane), ose e romancierit René Schickele (një pjesë gjermane, një pjesë franceze) po merrte fund dhe ajo nuk do të kishte më vend për hebrej me zemër të mbjellë në botën ariane. Njerëzimi do të bëhej gjithnjë e më barbar, sikurse duhet ta ketë ndierë Cvajgu në vitin 1935, kur nazistët ndaluan vënien në skenë të operës së Richard Strauss, për të cilën ai kishte shkruar libretin. Lufta e Dytë Botërore thjesht i vuri vulën.

 

Por pas sharmit të botës së vjetër, në kompozicionin e tregimeve të Cvajgut, në letrën e lamtumirës, ngrenë krye demonët. Në librin e tij Lufta me demonin mbi Heinrich von Kleist, Friedrich Holderlin dhe Nietzche, ai intrigohej nga mënyra sesi artistë të mëdhenj si Beethoven dhe Michaelangelo, frymëzoheshin nga dëshira demoniake, «vullkanike». Por ajo që fshihej pas këtyre demonëve ishte diçka më pak e kapshme, më kobzezë, më fatale, sepse fshihej në personalitetin e butë, pajtues dhe depresiv të Cvajgut: spektri i keqardhjes, spektri i asaj që ai mund të kishte qenë.

 

Sikur kthimi pas të ishte i mundur, sikur kujtimi të mos mbyste çdo shpresë, sikur dorëzimi të mos zbonte dëshirën. Sikur të mund të bënim diçka për të ndalur rrjedhën e të pashmangshmes, sikur të mos dorëzoheshim pa provuar, sikur të mund të vepronim më herët, sikur jeta të mos ishte e fundme. Sikur, është e pathëna, ajo që edhe shkrimtarët më të talentuar nuk i gjejnë dot emër. Sepse ajo as nuk kapërcehet, as nuk lihet pas vetes. Sikur është stacioni i fundit para hyrjes në tokën e hijeve. Dhe Cvajgu kishte hyrë në tokën e hijeve shumë kohë para Veronalit. Këtë e thotë në fjalitë e fundit të Bota e djeshme.

 

Kur u ktheva, pashë papritur hijen time para meje, ashtu si kisha parë hijen e luftës tjetër para luftës aktuale. Që atëherë, nuk më ndahet kjo hije e luftës, ajo mbulon si vello zie mendimet e mia, ditë e natë, ndoshta silueta e saj e errët shfaqet edhe në faqet e këtij libri. Por çdo hije, në fund të fundit, është bijë e dritës, dhe kush ka njohur dritën dhe errësirën, luftën dhe paqen, madhështinë dhe rënien, ai ka jetuar vërtet.

 

Gjuha mund të duket e thjeshtë, por thotë se e kaluara gjen mënyra për t’u shfaqur në të tashmen dhe të ardhmen, dhe për të na bërë lodra të kohës. Hijet na njohin më mirë se njohim veten, ato na ngjajnë më shumë se mund ta përfytyrojmë. Ato hyjnë në zona që na trembin, ruajnë sekretet e tyre, tregojnë historitë e tyre, flasin gjuhën e tyre. Ato edhe parashikojnë çka do të ndodhë, dhe, siç shkruante Frojdi, rishpikin atë që mund të kishte ndodhur ose ndoshta ka ndodhur – kush e di? Hijet mishërojnë mënyrën me të cilën kërkojmë fjalët për të folur për kohën, kur nuk kemi më kohë.

 

 

Cvajg u përqëndrua në mësimet e Sigmund Freud, ndikimi i të cilit ndihet në gjithë krijimtarinë e tij, sidomos në analizat e tij biografike për njerzit më të shquar të të gjithë kohërave (filozofë, burra shteti, mbretër e mbretëresha,shkrimtarë të shquar etj). Gjatë kohës në Salzburg, Cvajg filloi të besonte se persekutimi që Hitleri po u bënte hebrejve në atë kohë, lidhej direkt me vetë Cvajgun. Ai kurrë nuk u shërua nga ky fiksim, i cili rrjedhimisht u shndërrua në paranojë

 

‘Padurimi i zemrës’ (Ungeduld des herzens), një histori e zezë dashurie që tregon edhe njohjen e Cvajgut me teorinë psikanalitike të ndjenjës së fajit, një liber ku dashuria fajtore kurorëzohet me një vetvrasje të dëshiruar e të kërkuar nga dy personazhet kryesore të librit

 

 

Prehja e përjetshme pranë Lottes

Në mëngjesin e 23 shkurtit në Gonçales Dias 34 në Petropolis dera e dhomës së gjumit qëndroi e mbyllur deri pak para pasdites. Më në fund, personeli i shtëpisë u shqetësua dhe alarmoi policinë, e cila e hapi derën menjëherë. “Zyrtarët gjetën një burrë të shtrirë në kurriz, “të veshur plotësisht me një kostum sportiv. Me këmishë ngjyrë kafe gështenjë, kravatë të zezë dhe me kilota ngjyrë të zeza në kafe…”Zonja, shënuan ata kishte veshur një “kombinezon me lule; krahu i majtë rrokte gjoksin e tij”. Ky i vdekur ishte shkrimtari Stefan Cvajg, me prejardhje austriake, i cili para pak muajsh ishte bërë nënshtetas anglez, po atë ditë kishte mbushur gjashtëdhjetë vjeç, e vdekura ishte bashkëshortja e tij, Elisabetë Charlotte. Mbi skrivaninë jashtëzakonisht të rregullt ishin vendosur letrat e lamtumirës me pullat e ngjitura, lapsat ishin mprehur, librave të marra hua u kishte lënë një shënim. Mbi skrivani u gjet një shkrim drejtuar kryetarit të Bashkisë së të qytetit të Petropolisit me titullin “Declaroçao”. “Përpara se të ndahem nga jeta me vullnet të lirë dhe me mendje të kthjellët, detyrohem të përmbush një detyrë të fundit: të falënderoj nga zemra këtë vend të mrekullueshëm, Brazilin, që më dha mua dhe punës sime një pushim shumë të mirë e mikpritës. Nga dita në ditë kam mësuar ta dashuroj më shumë këtë vend dhe askund nuk do ta kisha rindërtuar më me dëshirë jetën nga e para, pasi për mua bota e gjuhës sime ka perënduar dhe atdheu im shpirtëror, Evropa, po shkatërron vetveten. Por pas gjashtëdhjetë vjetësh nevojiten forca të veçanta për të filluar edhe njëherë nga e para. Kurse forcat e mia janë dërrmuar nga vitet e gjata të shtegtimit nëpër botë. Kështu që më duket e drejtë ta mbyll në kohën e duhur dhe me një qëndrim të drejtë një jetë, për të cilën puna shpirtërore ka qenë gjithmonë gëzimi më i kulluar dhe liria personale, mirësia më e madhe e kësaj toke. Përshëndes të gjithë miqtë e mi! Uroj që ata të kenë fatin të shohin përskuqjen e agimit pas natës së gjatë! Unë, si shumë i paduruar që jam po u paraprij!” – përfundon letra e lamtumirës së Cvajgut.

Vetëvrasja e çiftit Cvajg është një nga ngjarjet më të rënda që ka bërë aq shumë bujë për të papriturën. Jo pak njerëz e quajnë këtë lajm si një “shaka”. Tomas Man, një nga miqtë e tij të mirë shkruante: “A duhej t\‘i jepte ai armikut të betuar këtë kënaqësi” duke shtuar se “njëri nga ne dorëzohet përpara ripërtëritjes së tij të dhunshme botërore”…

Në letrën e tij të lamtumirës drejtuar botuesit të tij brazilian, Koogan, ai e kishte lënë amanet t\‘i bëhej një varrim i thjeshtë, e pa bujë, por qeveria braziliane, e cila nuk kishte dijeni për këtë dëshirë e quajti si detyrën e saj që Stefan Cvajgun, shkrimtarin e famshëm botëror dhe mikun e Brazilit ta nderonte siç i takonte: me një varrim kombëtar. Më 24 shkurt të 1942-it të dy arkivolet e hapura të Cvajgut dhe të gruas së tij, Lottes, të zbukuruara plot me lule ishin vënë në shkollën e mesme të Petropolisit. Kryetari i Akademisë së Letërsisë, Carauta de Souza, mbajti një fjalim para një rrethi të shquar shoqëror, ndër të cilët merrnin pjesë edhe Presidenti i shtetit, Vargas, ministra, gjeneralë, publicistë, artistë profesorë. Më pas, vazhdari i përmotshëm kaloi nën diellin rrëzëllimës nëpër rrugët e qytetit të mbushura me njerëz në të dyja anët. Arkivolin e Cvajgut e mbanin tetë shkrimtarë, pas tyre vinin rabinët, të cilët kishin ardhur nga Rio De Zhaniero. Rreth 400 njerëz u dyndën rrugëve, të bardhë, mulatë, zezakë, indianë. Dyqanet u mbyllën vetiu. Ngado shihje njerëz me lule në duar që shoqëronin vazhdarin dhe kambanat e Petropolisit u bashkuan me kambanën e përmotshme. Fjalët që tha Carneiro, kryetari i Akademisë së Shkencave përpara varrit të hapur të fusnin në mendime: “Sikur ai të kishte qenë vetëm pak më sqimatar”, tha Carneiro me zë ankimtar, “me siguri do të kishim pasur mundësi ta shpëtonim dhe do të na e kishte kursyer këtë dhembje”.

Pieter Bruegel, alegoriku i pikturës, ai që shkroi dhe fshikulloi me penel

Lini një koment

Nga Albert Vataj

Plot 444 vjet më parë vdiq në moshën 44-vjeçare, Pieter Bruegel

Ky dishepull nistor i kumteve të fuqishme kushtruese dhe protestuese në art, erdhi për të mbetur krejt fillikat përballë rrebesheve dhe stuhive në një Evropë që ndahej nga Rilindja dhe rilindasit e mëdhenj dhe hidhej në një vërshim të tjetërllojtë dhe sfidues. Nuk reshti së rrëfyeri, së fshikulluari me penel dhe ngjyra, me trajta dhe forma, me deformime dhe shmangie të qëllimshme të ekuilibreve estetike. Ai rrumbullakosi dhe dëndi brenda formave alegorike krejt atë çfarë e sëmbonte, duke dëshmuar një sy qëmtues dhe yshtjeje përnga përleshja. Këndshikimi i Pieter Bruegel-it, ishte dashtazi një ujdhesë e brendisë së dlirë, të cilën e la pothuaj gjithmonë jashtë tablosë, për të mbajtur të kyçur në suazë e kreaturës, krejçka atë e ngucaste, e lëndonte, ishte kundër shëmbëllimit dhe ngulmit të tij.

Koha kur u ngjiz një penel

Bruegel (1525 -9 shtator 1569) lindi në një kohë ndryshimesh të stuhishme në Evropën Perëndimore. Idealet humaniste nga shekulli i kaluar ndikuan në botkuptimin dhe krijimtarinë e artistëve dhe dijetarëve të Evropës. Italia ishte në fund të Rilindjes, në cakun e mbramë të këtij katapultimi qiellor që emra dhe krijues të mëdhenj i dhanë asaj, ndërmendim artistë si Mikelanxhelo dhe Leonardo da Vinçi. Në vitin 1517, rreth tetë vjet para lindjes Bruegel-it, Martin Luther kishte krijuar tezën e nëntëdhjetë e pesë të tij. Ishte në fillesë një etapë kulmore, Reformat Protestante në Gjermani fqinje. Asokohe, Kisha Katolike censuronte pamëshirshëm çdo qelizë të jetës evropiane përfshi dhe artin. Ndoshta më e rëndësishmja për artistët ishte Këshilli i Trentit më 1545, e cila përcaktonte se çfarë arti ishte i përshtatshëm në shtetet katolike. Në këtë kohë, Hollanda ishte e ndarë në shtatëmbëdhjetë provinca, disa nga të cilat donin mëvetësinë nga Kisha Katolike, e cila mbahej në hyqëm nga krahinat bastion të tyre në Spanjë. Holanda u ndikuar nga Gjermania lutheriane duke trashëguar rritje të protestantizmit. Kjo ishte koha në të cilën u formëzua ky luftëtar i paepur i bindjes dhe virtytit, i përbetimit estetik, e pse jo dhe politik, duke e rënditur Pieter Bruegel në udhën e heretikëve, të kërcënuar nga persekucioni dhe anatemimi.

 Erdhi për të mbetur i përveçëm

Alegoria, fshikulli dhe protesta ishin tharmi i brumit të bukës artistike të Pieter Bruegelit. Ai arriti të shkruante me saktësi të patëdytë historinë dhe të dokumentonte me penel gjithatë që sot është një pasuri kombëtare për Hollandën. Që nga dëshmimi i kushteve atmosferike, jeta dhe ritualet, forca e besimit dhe e mëkatit sëmbues, mosdakordësia me klerin dhe me pushtetin, deri tek lojrat dhe dallesat e asaj popullate, atij kombi dhe asaj fshatarësie, të cilën ai e lëmoi përgjatë gjithë jetës së tij artistike me penel dhe alegori.

Të dhënat nga jeta e Bruegel janë të pakta, dhe shpesh të pasakta ose kontradiktore. E vetmja siguri është vendlindja, Breda, kurse datëlindja e tij mbetet e panjohur përderisa në atë kohë në Fiandrat nuk bëhej akoma censusi i popullsisë. Emri i tij përmendet për herë të parë kur futet në një korporatë në vitin 1551. Mosha e pranimit në atë korporatë vërtitej rreth 21-25 vjeç, prandaj dhe viti i lindjes së Bruegel-it mendohet të jetë e përfshirë mes 1525 dhe 1930. Bruegel mori mësime arti nga Pieter Coecke van Aelst, një piktor belg pjesë e oborrit mbretëror të Karlit V, ndikimi i të cilit do ta shoqërojë pothuajse në të gjitha punimet e hershme. Pas një aktiviteti në Antwerp, një vizite të gjatë në Itali dhe një prodhimi të pjekur në Hollandë, vdiq në vitin 1569 në Antwerp, por u varros pranë një kishe në Bruksel.

Tematika e “Bruegelit fshatar”

Pothuajse të gjitha veprat e Bruegel-it vërtiten rreth një tematike të vetme: natyra njerëzore, shpesh e fotografuar në skena të përditshme fshatare. Njerëzit në pikturat e tij janë skllevër të veseve dhe tiparet më të ulëta, nënvizohen nga frika, mosbesimi, deformimi moral. Ngjyrimi groteskut jep gjithmonë idenë e diçkaje që është bërë pjesë e dobësive të njeriut, i përbuzur nga një natyrë indiferente dhe i gjunjëzuar nga pafuqia dhe kufijtë e tij, shpesh edhe me një ironi të hollë.

Bruegel përgjatë veprimtarisë së tij të komunikimit artistike dhe estetik, u fokusua, ose ishte i rrëmbyer marrëzisht nga jeta fshatare dhe gjithçka e mbush brendinë dhe sipërfaqen e saj. Ajo e ndoqi gjatë në shumicën e tablove. Fakti se ai u josh dhe gjeti frymëzim nga fshati dhe rutina e përditësuar, veset dhe njerëzorja, nuk është një veçanti që duhet anashkaluar. Ajo që e dallon joshjen rreth këtij kumti është se në kohen e Bruegelit, ishin të rrallë ata që mbushnin tablotë me një kumt të tillë, me një mbarsje të ngjeshur. E zakonshmja ishte fisnikëria dhe porositë që vinin sandejmi, tema e luftës dhe religjoze, gjithashtu përbënin një yshtje. Edhe natyra e qetë dhe peisazhi përbënin gamën e motivimit krijues. Megjithatë, Brugeli e nisi dhe e bitisi i fokusuar fundekrye në piktura që ngulmonin brenda tokësores dhe jetësores fshatare. Përshkrimi i tij i atypëratyshëm, gjallues dhe pjesëmarrës i ritualit të jetës fshatare e rrugëtojnë veprën te fotografimi i krejtçkasë që zhagitej në pamjen përgjuese. Asgjë nga kjo zallamahi fshatareske, njerëzore, kurrçka e këtij yshtje jetësore të njeriut të molepsur, nuk i shpëton syrit dhe penelatave të Bruegelit.

Asgjë nuk i shpëtoj qëmtimit bruegelian

Detaj pas detaji, copëz pas copëze ne përcjellim me hollësi dhe me një aftësi të pazakontë shëmbëllimin e vetvetishëm të çdo personazhi që është shkulur nga jeta fshatare, e hallakatur andej e këndej dhe është tubuar e gjitha në një, në një kumt të allasojtë të Bruegelit, këtij syri vigjilent dhe këtij moralisti skrupuloz.

Nga krejt ajo që Bruegeli përshkroi në pikturën rrëfyese, dallojmë njeriun e virtytshëm dhe shumë të përkushtuar dhe padyshim ithtarin lutherian dhe heretikun e klerit. Vepra e tij ëshë dhe një histori e shkruar dhe e fshikulluar me penelatë në kanavacë. Ai qëmton krejçka nga jeta duke përfshirë bujqësinë, gjuetinë, ushqyeren dhe gatimin, festivalet dhe aktivitetet, vallet, dhe lojrat, të cilat janë dritare unike në kulturën popullore belge të shekullit të XVI. Shumë nga ato që la Brugeli tashmë janë zhdukur duke mbetur pikturat e tij si burimi kryesor ikonografik dhe dëshmia e pamohueshme dhe provat në lidhje me aspektet fizike dhe sociale të filozofisë së jetës së asaj periudhe.

Ai është një memuar dhe monument

Hollanda ka penelata të jashtëzakonshme në pemën e saj gjeneologjike, degët e së cilës zgjatojnë derimtash. Por Bruegel është një përjashtim. Për shembull, pikturë Fjalët e Urta holandeze, ilustron dhjetra shprehi të atëhershëm dhe bashkëkohore të këtij visari gojor. Shumë prej tyre ende përdoren në holandishten aktuale. Duke përdorur frymën e bollshme dhe fuqinë komike, ai krijoi disa nga imazhet e para të protestës akute sociale në historinë e artit, e pashembullt e asokohëshme. Nistorja e Bruegelit është vazhdë e artit si mjet komunikimi, i cili flet me historinë, me të cilin gojtarojnë brezat. Gjithëpoaq Pjetër Bruegel ishte dhe mbeti një revolucionar, një sfidant ngadhnjyes. Në shtratin e vdekjes, ai urdhëroi bashkëshorten të digjte dhe të eliminonte disa nga punët e tij për të mbrojtur familjen nga persekutimi politik që rezulton nga konfliktet që kishte me Kishën Katolike dhe ithtaria që ushqeu për Reformimin Protestant.

Breu Pieter_Bruegel_the_Elder-_The_Seven_Deadly_Sins_or_the_Seven_Vices_-_Anger The Painter and The Connoisseur, c. 1565 is Portrait

Valbona, kjo ngasëse “mëkatare” e alpeve

Lini një koment

Nga Albert Vataj

Prej qyshkuri dhe pajada, jemi kredhur nëpër udhëpërshkrues të ndryshëm dhe qëmtues  symprehtë e buzëhollë. Nëpër gojtar më namë është çapit mbamëndja e alpeve, këtij Babel të natyrës shqiptare. Tash kur vullnesa për zotërim është një sfidë kandashumë e sekujt, e kur mundësitë zënë e binden yshtjes plot amë dëshiruese, kurrgja nuk mbetet përjashtë. Kurrqysh nuk druhet, përkushtimi për me pas atë që dëshiron, prej asnjë kufizimi a ndalesave të çfarëdoshme që të brof befas e ta drithëron kurmin. Në këtë mërmërimë dhe ofsham nuk mundet me u struk gjithherë dëshira. Tuj i dhan krahë dhe turr, qiellin duke i’a lëshu me pash dhe pafundësinë duke e hapërda horizonteve, vullnesa të gufon e ty s’të mbetet tjetër zgjidhje, vetëm bindja. Nesër do të ikim në Valbonë, e lëshova këtë togfjalësh si dorashkën për dyluftim, në tavolinën mbramsore. U tha, u ba!

Turravrap në kaplimin bjeshkator

Shkodrën e kishim trampolin në përpushjen e hovshme përnga lartësitë e alpeve. Lamë këtë zojë të randë në kapitjen e trokut të mbramë të natës dhe u turrëm me vërtik. Kur ende s’kishte shkuar ora 06 e mëngjesit dhe një lëpe drite nderej mbi heshtjen dhe pamjen, si penelat e drojshme, “Peugeot 308”, jo më shumë bujë motorrike, me të cilin po udhëtonim, la pas qytetin për t’u drejtuar nga lindja, shtegu nga do të kaplonim lartësitë dhe për të sosur në Valbonën e ftohtë dhe të kthjellët.

Kafen e asaj nadje, turravrap e gjerbëm në Pukë, qytet i cili ndodhet 835 metra mbi nivelin e detit, përndryshe 32 km nga Shkodra, 80 km nga kryeqyteti, Tirana. Pozita gjeografike e saj kumton atë në pjesën qendrore të Shqipërisë veriore, me territor që shtrihet përgjatë krahut të majtë të Drinit, që nga Ura e Vezirit e Fusha e Dukagjinit, në lindje dhe deri në afërsi të grykëderdhjes së Gomsiqes, në perëndim. Nga jugu e ndajnë me Mirditën kreshtat malore; Maja e Runës, Thirra, Maja e Roshit, Bjeshkët e Tërbunit.

Jeta në këtë qytet të vogël rreshqiste tinzare përmes të rrallave ngute njerëzish që pikasëm përgjatë të vetmes rrugë që përlan këtë qendër të kakohëshme banimi. Në vazhdim u lëshuam gjarpërimit të rrugës mes pishave për të mbërritur në Fushë Arrës, një qytesë që ka lindur nga shfrytëzimi i nëntokës dhe pasurisë pyjore. Ai zotëron jo më shumë se 31.06 km2 territor dhe mban nofkën “qyteti i sharrtarëve”, anipse në të mund të hasësh edhe ndonjë druprerës të ligjshëm. E përshkuam pa ndalim duke e lanë pas atë, për të fuguar për më në zemër të maleve, në shoqërinë e pandashme të një peisazh sa magjepsës, aq dhe të ashpër, sa joshës aq dhe të frikshëm.

Gjithnjë në anë të rrugës tatpjetat të thukshme thelloheshin, sa më shumë i ngjiteshim Qafës së Malit, sa më ngultaz përpjeteshim kaplueshëm mëtimeve të gjithfarësojshme natyrore, duke mënjanuar shtegun për Kukës e vijuar përlart.

Memuare dhe ndjellakeqe dhe muranë

Përgjatë rrugëtimit përpjetës, memuare dhe muranë kishtin kohë që penetronin përmes mrazit të një relieve që kërciste dhe thyhej përnën vërshimin përpara të makinës dhe ekzaltimit të këtij spektakli vegjetues. Anëve, porsi gurë kilometrikë ngriheshim një pas një përkujtimoret e atyre që kishin humbur jetën, kryesisht nga aksidentet. “Qafa e Malit”, kishte marrë në qafë dhjetra fatkeq, dhe kujtimoret e tyre vendoseshin si piketat në një vendngjarje, dhe ashtu qëndronin ndjellakeqe më shumë sesa ndërmendës për kalimtarët e rallë mbi rrezikun që kanos.

Ky detaj nuk përbënte rëndësi në këtë tur malngjitës, por Ilirin, i cili ngiste makinën sdytiherë në këtë shteg, po e shqetësonte vijimsisht ky trokth ngjethës që fanitej dhe behte rishtaz. Një lloj ndjenje keqardhje dhe paniku mbrunte me përzimllek këto mermere dhe muranë të ngritura si përkujtimore. Kjo shfaqje që tkurrej prej panoramës, zgjatej si një kujë dhe sëmbonte qetësinë e ngaresit të makinës duke i prishur atij ekuilibrin emocional, gjë të cilën nuk e fshehu. Gjithsesi ai nuk ishte kundër, por as ndonjë dakordësi nuk la të nënkuptohej për këtë amfiteatër tragjik, që kishte lëshuar rrënjë në këtë ngjitje rrugëtuese shumë të rrezikshme. U dakordësova me të, me bindjen se këto mbamëndje tragjike janë ndjellakeqe, për ato pak vetë që e përdorin ende këtë mundësi, që pas ndërtimit të “Rrugës së Kombit”, e cila e ka nxjerrë jashtë loje “Qafën e Malit” dhe jashtë pjesëmarrjes në rrezik, ata që ishin të detyruar të përshkonin këtë gjarpërim mes pishash, shkrepash, honesh dhe zgafellash përpirëse.

Në teposhtë e përpjetën joshëse

Udhëtimi përnga “Qafa e Malit”, padyshim është një kahje për ta përshkuar mes përmes Veriun e Shqipërisë. Ndoshta krejt pak, një rrugëtim i përshtatshëm, por gjithpoaq një mundësi për të depërtuar brenda kësaj magjie që shfaqet e bollshme dhe krahëhapur, e cila sa vjen e të përpin brenda vetes, si në një joshje dehëse, duke të davaritur çdo ndjenjë frike që ndjellin tatpjetat që gërmushëshin dhe të hakërrejnë pajada’. Ndërsa e përshkon këtë zvarranik mitik, që si një kapilar ushqen me jetë krejkah ku shkel, të ndërmendet histori dhe dëgjesa të pafundme, gojdhëna e rrëfenja burrash shtatlartë si trungje lisi. Shtojzovallet e Zanat e Malit, Orët dhe Kulçedrat, të bamet e t’thanmet e vizatojnë pëdhëmbë për pëdh¬ëmbë këtë horizont zemërak dhe larushitës. Çdo shkëmb, gëmush apo krua, çdo shpat, krep apo livadh, çdo luginë, majëmalit apo pemë vetmitare, krejt asajanë munden me kumtu, me tregu e më dëshmu, për çka kanë pa e ndigju. Shembëllen e kungon bukuri dhe hutim. Copëza të hallkatura deri lart në re lëshojnë një energji tërheqëse. Një pishë vetmitare e qëlluar nga rrufeja bën më shumë përshtypje sesa një rrokaqiell në mes të qyteti të bujshëm.

I përfshir në këtë amfiteatër natyror dhe eposi, s’ka gjas me mbetun përjashtë një rrëmbese ndjesore të allasojtë, një batërdie e përzishme dhe një kaosi përfytyrimesh dhe ngjarjesh, të cilat duke t’u rikthy në kujtesë, si trokitje në portat e rijetimit, të pushtojnë, të kanë tjetërsu në një copë e këtij mozaiku të parrëfyeshëm.

Sosim në Dushaj

Pasi ke përshkuar një zgjatim disaorësh të rrugës, duke lënë pas fshatra të tëra të rrethit të Pukës, zdirgjesh përposhtë nëpër një lakore që sheh gjithnjë nga Drini, vërshimin e të cilit e ka vënë nën fre diga e Hidrocentralit të Fierzës, që sa më shumë i avitemi më të unshme e ka shfaqjen. Mbi ne fluturojnë ngarkuar mbi shtylla të hekurta telat e tensionit të lartë, përçuesit e gjithkahshëm të dritës. Zbresim përkadalë tuj mbajtë frymën e turrin mbi urën që të çon në Dushaj, një qendër e cila popullohet nga rreth 150 banorë të ndarë në afro 30 familje.

Dushaji shtrihet pranë Liqenit të Fierzës në trevën e Krasniqes. Jo larg kësaj qendre banimi gjendet vendi i quajtur Maja e Krasniqes, zanafilla e emrit pararë¬ndës që gëzon sot. Dëshmimet e hulumtuesve tregojnë se atypari janë ende rrënojat e një kishe të shek të XVII, me një numër të madhe varrezash që e përqarkojnë, kishë për të cilën Frang Bardhi në vitin 1638 kishte shkruar se ishte kisha e Shëngjergjit.

Nga e djathta e Dushajt, rruga të drejton nga Bajram Curri, e krejtkëtij horizonti të krekosur mes maleve të larta e pafundësisë që të ngas. Nga tjetra anë, rruga e ripunuar dhe e pasuruar me bankina hekuri dhe elemente të tjerë, degëzohet në kah që ndjek vërshimin e urtë të Drinit për të bëhur saora në Markaj dhe Lekbibaj. Në brinjë të lartësisë që sa vjen e thadrohet, qëndron emblematike Zona B, e cila në kohën e miqësisë shqiptaro-kinezë, asohere kur zuni fill e famshmja sentencë “Enver Hoxha-Mao Ce Duni janë si buka e një brumi”, shqiptarët nën dirigjimin e specialistëve dhe inxhinierëve kinezë, ngritën veprën më të madhe hidroenergjetike shqiptare, të cilën e quajtën “Drita e Partisë”.

Fierza, mali i dritës dhe djersës

Duke qëndruar mbi urë përlahemi nga një soditje frigane e këtij përbindëshi hekuri, betoni, zhavori, djerse dhe mundit të mijëra vullnetarëve, të cilët i’u përgjigjur “thirrjes së partisë”, përveshën mëngët duke lënë bretkun në përpjekjen e tyre të mundimshme dhe kufizimet rras¬kapitëse.

Kjo digë, nën këmbët e së cilës po ndjej nënshtrimin dhe llahtarinë e kësaj prite njerëzore, ndërsa të mbërthen me vështrim, shqun shtatin që ngërthehet në 167 metra lartësi dhe një kurorë 400 metra, që i rri si kreshtë. Kurrkund më shumë se këtu, vetmohimi njerëzorë nuk është murosur kësisoj në një një volum të përgjithshëm materialesh ndërtimi prej 8 milionë metër kub. Porsi kapilarë përshkojnë shtatin e këtij gjigandi energjetik plot 5500 metra tunele. Në prehrin e vet, ky kaplim vullnetesh dhe force, struk një vëllim prej 2.7 miliardë mëtër kub ujë, e cila shtriq krahët e saj të kaltër në një sipërfaqe 72.6 kilometër katror, e që mbahet si rezervati i Liqenit të Fierzës, uji i të cilit kafshohet nga turbinat e shndërrimit në energji elektrike dhe përposhtet për të dalë në shtegtimin e vet drinues, përmes malesh që e fillërojnë e një tjetër ndalese që e pret në Koman. Ndërsa e përlan me andje dhe një lloj ndjesie mposhtjeje më ndërmenden ato 6 vite rraska¬pitëse, nëntor 1971, kohë kur nisi puna në këtë hidrocentral,  dhe viti 1978 kur u vu në shfrytëzim ky përbindësh hidroenergjetik. Për kujtesë, Fierza ka një kapacitet prej 500 megavat dhe një prodhim vjetor 1.8 miliardë kilovat/orë energji elektrike, ndër më të mëdhenjtë në Ballkan, pas HEC-it të Danubit në Serbi.

Duke i kthyer shpinën kësaj krekosjeje të tjetërllojtë nga ajo e maleve e trandjes retheqark, vazhdojmë duke marrë me vete dehje përmasash dhe përjetimesh.

Drejt Valbonës

Na kishte ngasur keqas kjo “vashë” me gjak blu e gërshetat që zgjatojnë duke rrënjëzu në gjarpërimin e kahershëm për¬mes gurësh mitologjik. Krye¬këput nuk u qas kjo gajle me e marrë Qafën e Malit, me përshku kilometra dhe orë të tëra me sos në krahët e sajë, si në një histori romaneske dashurie, por gjithsesi ajo kishte gjas me ken, joshja më e epërme dhe përjetimi më i thellë i krejkëtij kaplimi malor. Lugina e Valbonës dhe ajo që pritej të na shfaqej me padurim shtrihet në qendër të Alpeve Shqiptare, në rrethin e Tropojës, me kast si një qëndresë e patëdytë e hireve dhe bukurisë natyrore. Kjo kredhje e kandshme e magjiplotë që shtatohet në një siperfaqe prej 8.000 hektarësh duke turfullu senga freski dhe joshje gëzon statusin e Parkut Nacional që në janat të vitit 1996.  Atë e mrujnë toka të murrme pyjore mes lartësive 500-1200 metra, për të vijuar gëlimet e kadifenjta që shtrihen në shpatin e majtë të kësaj lugine nga Mbaskollata dhe deri në Shoshan në lartësinë 400-900 metra.

Pasi lamë Bajram Currin e fuguam përpara, dredhuam pak nga shtegu, po me ndihmën e një vendaliu u rifutëm rishtaz nëpër një rrugë, ndërtimi i së cilës nuk kishte përfunduar ende. Kur trajtat lojcake të shtegut që morëm, na përmendën duke na rikthy në dëgjesë fjalët e udhëtreguesit: “Deri në Dragobi, do ta keni të vështirë, pasi është në ndërtim e sipër rruga, pastaj është e asfaltuar”

Makina vazhdonte përpara duke lënë nga pas një re pluhuri që nuk na u hoq qafe për minuta të tëra. Gjithnjë në të majtë gjarpëronte një vërshim gurgullues, turri dhe garrameti i së cilës urtohej ndërsa përshkonte horizontalen e vërshimit. Pershkuam turraz, Fierzë-Bujan-Bajram Curri-Margegaj-Shoshan , e behëm maspak në log të piskamës malrrethuese të Dragobisë.

Nëpër Dragobi

Në të dy anët e rrugëtimit, male të larta zgjatonin hijerëndë mbi kokat tona. Qielli herë dukej e herë zhdukej mes reve lojcake të gushtit dhe krekosjes së maleve që turreshi përmbi porsi një kushtrim i motmotshëm. Bisedat tona i kishin lënë vendin heshtjes soditëse, e cila mbase kishte një argument më bindës për të mposhtur sfidën tonë turistike. Peisazhi çelej dhe kyçej si një sipar skene, ku luhej një epos natyror. Dielli shkelqente pajada. Majëmalet që e “qëllonin” me krenari e fiknin dritimin e tij duke e zhyt luginën drejt Valbonës në një ngjyresë të murrme. Pas ndonjë një ore, curulitjesh dhe gërrvimash mbi çakull dhe gurë të ngrënë në tabanin e rrugës, sosëm në asfalt. Shpëtuam, shqiptoi me ofshamë Iliri, ngarësi i makinës që mbante mbi vete vizitorët sefte të kësaj mrekullie të natyrës. Ecnim përpara duke përthith taft të freskët dhe magji që zbriste deri poshte në shtegun që shtriqej. Sakaq shfaqeshin dhe zhdukeshin pas nesh pamje dhe shëmbëllime të turlillojshme. Trumba reshë të bardha, si tufë zogjsh shtegtar shpuplonin pendët nën shndr¬itjen e diellit dhe ëndjes tonë.

Në Valbonë, prehrin lojcak

Kur ende s’kishte të sosur kjo lojë virtuoze e natyrës, shpër¬then para nesh një pamje në trajtën e një hinke të papërmasshme, në të cilën u derdhëm me vërtik. Valbona trullosëse lëshonte dashtazi para nesh kurmin e saj joshës. Portat e Parajsës, të mbetura vetëm në shëmbëllime poetësh dhe piktorësh, sakaq hapeshin katërkanatësh. Ecnim si në ëndërr duke lëshuar vështrimin tonë të drojshëm rrethekrah, krejtkund kjo hijeshi shfaqej.

Valbona është një fshat afro 26 km larg nga Bajram Curri. Dëftues statistikor rrëfejnë se këtë qendër 400-vjeçare banimi e përbëjnë rreth 47 shtëpi me vetëm 300 banorë. Fshati i ngulur si një shënjim 810 metra mbi nivelin e detit në një grykë gjysmë të thepisur, buzë lumit Valbona mes maleve të të Kollatës, me Jezercën që hargaliset me 2,694 metër lart e Pecmarën ballas, që naltohen bajagi. Në zanafillën e vet, Valbona, kjo bujtinë natyrore e kërshërisë së sekujt, ka shërbyer për stanet verore dhe ndalesën e përkohëshme blegtorale të banorëve.  Në fillim të luginës shtriqet liqeni akullnajor i Xhemës që vërshon nazelik përmes majave të Alis që lartësohet me 2471 metra, Poplukas me 2569 metra në jug-perëndim të bllokut malor të Jezercës dhe që përfundon në fshatin Rrogam.

Duke lëshuar një piskamë që e rrok shikimi ynë në këtë kandje të pashoqe, prekim me krenari kulmet duke nis nga Maja Roshit 2522 metra, i cili është i njohur si Jezerca, përveç kulmit. Ajo kufizohet me majat e tjera, të tilla si Popluka dhe maja e Ali, në perëndim, Rrogamit me 2478 metra lartësi, në lindje, Maja Kolajt, 2498 metra, Maja e Malësores, 2490 metra, Maja Bojës, 2461 metra, në veriperëndim, e Maja e Kokërrhanës, 2508 metra dhe ajo e Etheve, 2393 metra, në veri. Krejtkjo është një Babel natyror, që ngërthehet përnga lartësitë e strukin poshtë tyre Valbonën këtë ngasëse “mëkatare” të alpeve shqiptare.

Më përtej drejt luginës, aty ku bashkohen lumi i Valbonës me përroin e Çeremit, lugina bëhet më e cekët me aspekte të shumta të ngushtimeve dhe zgjerimeve, të ndara nga vendkalime dhe shtigje. Ekspertët janë të mendimit se kjo zonë është karbonatike dhe formohet nga detashmentet akullnajore dhe tektonike. Në këtë pjesë të Valbonës përfundon dhe degëzimi i përroit të Kukajt. Lugina e saj është tipike akullnajore e formuar midis maleve të Jezercës dhe Kollatas. Valbona vijon të mbetet joshëse dhe ngasëse për mijëra vizitorë që hidhen përvit në krahët e saj, epshëm e dëng me dëshira për ta përjetuar pajada. Lumi Valbona, namëmadh e zashumë, mbetet mbreslënës, burimet e sajë në pjerrësinë lindore të Qafës së Valbonës, te ujvara, zhduken nën zallishtet gëlqerore të luginës, siç zhduket çdo feksje e magj¬ishme, çdo ëndje dalldisëse, çdo bukurane lajkatare.

Flora dhe fauna e kësaj gostie natyrore

Veç ujit të kristaltë, dhe përposhtjes nazike mes gurësh të stërmëdhenj, Valbona shquhet dhe për një faun dhe florë shumë të larmishme dhe bujare, karakteristike e vendeve të Evropës Qëndrore. Në lartësitë 600-1200 metra, të zonës së Valbonës dhe Rrogamit, gjenden pyje ahu dhe toka është e shkrifët. Atypari hedhin shtat pyje madhështorë me hormoq (Piceaabies). Gjithashtu rriten duke e mbushur me jetë dhe prekje magjike jetë¬dhënëse dhe hartina, bredhi i bardhë dhe pisha e zezë.  Në Valbonë gjen¬den njiheraz, si për ta përplotësuar me të gjithë elementet këtë shastisje, specie të rralla. Nga peshqit që i gjejmë në lumin e ftohtë Valbonës, është trofta. Për të vijuar me shpe¬ndët, i rralli gjeli i egër dhe nga familja e gjitarëve, ariu murmë, macja e egër, ujku, dhija e egër, dreri, dhe lundra, që e hasim përgjatë rrjedhës së Valbonës.

Ikim më kokën pas

Jo çdo ndarje është kaq e trishtë, e jo çdokën Valbona e përcjell me pahir, as atëherë kur bora zbret, era fryn me tërsëllimë, lumi gulçon përmes shkëmbinjsh, dorzan të këtij kushtrimi të ujët malesh. E kunduam gjatë dhe papra krejt këtë bukuri. U çapitëm me të në këtë gosti kundrimi të pashoq. Unshëm na u desht me u ngrit prej kësaj sofre me tana t’mirat që Zoti i ka dhanë pakursim dhe robi e ka nda me shojishojn si bukën e verën në “Darkën e Fundit”. Mbushëm krejtçfarë mbetun kishte ndër ne zbrazët prej këtij kaplimi alpin dhe ikëm, turravrap me kokën pas.

Valbona_gusht 2013_foto Albert Vataj (23) Puke-Gusht 2013-foto Albert Vataj (1) Puke-Gusht 2013-foto Albert Vataj (2) Valbona_gusht 2013_foto Albert Vataj (1) Valbona_gusht 2013_foto Albert Vataj (2) Valbona_gusht 2013_foto Albert Vataj (3) Valbona_gusht 2013_foto Albert Vataj (4) Valbona_gusht 2013_foto Albert Vataj (5) Valbona_gusht 2013_foto Albert Vataj (6) Valbona_gusht 2013_foto Albert Vataj (7) Valbona_gusht 2013_foto Albert Vataj (8) Valbona_gusht 2013_foto Albert Vataj (9) Valbona_gusht 2013_foto Albert Vataj (10) Valbona_gusht 2013_foto Albert Vataj (11) Valbona_gusht 2013_foto Albert Vataj (12) Valbona_gusht 2013_foto Albert Vataj (13) Valbona_gusht 2013_foto Albert Vataj (14) Valbona_gusht 2013_foto Albert Vataj (15) Valbona_gusht 2013_foto Albert Vataj (16) Valbona_gusht 2013_foto Albert Vataj (17) Valbona_gusht 2013_foto Albert Vataj (19) Valbona_gusht 2013_foto Albert Vataj (20) Valbona_gusht 2013_foto Albert Vataj (21) Valbona_gusht 2013_foto Albert Vataj (22)

 

 

Shkodra, kjo k’and e pashoqe përmallimi

Lini një koment

Nga Albert Vataj

Nëpër mundësitë të mvetësuara si gjendje e ngarkuar emocionale, pareshtur kërkojmë të vizatojmë përfytyrime dhe andje, të cilat duke shëtit’ nëpër kujtime dhe nostalgji, ngulmojnë t’zbresin në t’tashmen e gjanave t’mundshme. Kësisoj, ta kapi për dore, porsi fëmijën, e duke rend’ t’i rrëfej të shkumen, ta çoj nëpër vende, ku copëza jete dhe shpirti i kisha fshehun nëpër kujtime si thesare.

Asnjëherë nuk e kuptojmë se është dikush përbrenda nesh që mundet me u kujdesë me kaq përkushtim për me na zgju pupth rijetimin, me i dhan’ hov kujtimeve dhe me shkund’ pluhurin e harrimit. Kësisoj, me u zgju një ditë i tunduar nga një dëshirë nënshtruese përjetimi dhe andje. T’vagullta shfaqen ato vegime dhe mirazhe beduinësh, megjithatë krejtçka kjartësohet dhe hidhesh në këtë përmendje me një destinacion, të cilit i jepesh.

Që atmot të vitit 1997, kur i kisha kthy shpinën prindërve, kujtimeve dhe vendlindjes, e po ikja i ngarkuar me të paktat gjëra, ku barrën kryesore e përbënin librat, pasuria ime e shtrenjtë dhe e shenjtë, Shkodra nuk ishte kaq larg, distancë të cilën kisha nevojë ta fashisja pajada. Anipse përgjatë këtyre viteve nuk më ka munguar motivimi për ta vizituar, megjithëse i ngarkuar gjithher’ me peshën e një angazhimi familjar dhe farefisnor, vaki dhe shyqyre.

Zanafilla e nji yshtjeje

Malli dhe nostalgjia, ngasun prej një kohështrirje mungese dhe harrimi, jo shumë larg, ngulmi për ta kundru dhe kumtu si një gajle e kahershme k’andeshumë, u bënë yshtja e pamëdyshtë që Shkodra t’ishin destinacioni i pushimeve të këtij viti. Imazhi hirëplotë dhe sharmi magjepsës, rrugëtuar përmes fotografish dhe ujdhesash të pamata mediatike, nuk mund të ishin aq të përplotësuara sa të dakordësohesha, duke ruajt’ distancën e të mallohesha prej s’largu, ndërsa lundroja i magjepsur në këtë shëtije sendërtimesh mediatike të vendlindjes sime dhe krejt’asaj që kishte lënë dhe mbetur tek unë, jo dhe aq si përkatësi krahinore, sesa si një mishërim hyjnizues. Doja ta prekja me duar, të shkelja me këmbë e ta fokusoja me andje gjithë atë që më gufonte me mall dhe gazmim.

Tiranë-Shkodër, vajtje-ardhje

Na u desh të linim Tiranën, ndërsa ora sapo kishte kalu 09:10 minuta dhe dielli përvëlues i gushtit nderej mbi kryeqytet, duke derdh’ një dritim verbues dhe një tejzgjatje hijesh në anën veriore, kah që mori drejtim makina, me të cilin po udhëtonim. Nga tre pasagjerë në këtë destinacion, Tiranë-Shkodër, vajtje-ardhje, vetëm unë isha i njëmentë. Im bir, 8 vjeç, i shumëdashuruar me detin, në të hyrë të Lezhës e mësoi se deti, të cilin ai po kërkonte t’i shfaqej, e kishim lënë tashmë pas dhe i ishim drejtuar qytetit verior të Shkodrës. Ndërsa i afroheshim fillesës së pushimeve dhe po përshkonim sakaq rrugët e territorit rrethues të kryeqendrës së veriut, ngasesha në vetvete përmes shumë hamendjesh dhe mendimesh, porsi një pasionant i çmendur lirishë, i pataksur nga horizonti.

Në “portat” e Shkodrës!

Në të hyrë të qytetit telefonova një mikun, njëherash dhe kolegun tim të hershëm, të cilin e pyeta veç të tjerave mbi vendet me të favorshme ku mund të parkonim shoqëruesin tonë katër-rrotësh. “Rruga e Degës, ose te Poliklinika”, shqiptoi ai telegrafisht dhe nuk harroi të më konfirmonte vendtakimin atypari. Ata ishin dy destinacione dhe një krahështrirje e piketuar në një horizont që sa vjen e kjartëson pamjen për nëndiellin e zenittë që gjejmë teksa “gozhdon” me dritë dhe 39 gradë celcius krejtkah pamja rrok bujtjen tonë në këtë qytet. Vargani i makinave që rrjeshtohej si fishekët në vezme, përgjatë gjithë rrugës së Degës, (është fjala për të famshmen dhe ogurzezën, “Dega e Brendshme”) shkëputej fiks përballë “Kinema Rrepublika”, si një shkas mirëseardhjeje dhe mikpritjeje shkodrane.

Miku im, priste tashmë kryekëput ku më kishte parathënë. U përshëndetëm, u falëm dhe sakaq ndoqëm hapat që do të na çonin në qendër, të mbanim frymën në një prej lokaleve më të njohura të Piacës dhe njëherash në një nga “kapanonet” mundane, ku vendtakohen turlilloj, që nga zejtarë të politikës, deri te katundari e hallexhiu. Ç’nuk sheh e më kë nuk shihesh në kësi bujtinash kolektive, ku tangarlleku dhe krehbishtja lëpihen, mediokriteti dhe retorika krekosen si kryekooperativistët e kohës së Enverit. Kjo kafeteri gjithnjë ma ka shpifur, si çdo shtirje tjetër dhe unë viktima, gjithnjë e kam frekuentuar me të njëjtin person, gjithnjë me po të njëjtën arsye, refuzimit të mbetur në tentativë. Piva atë kafe i strukur nën peshën e rëndë të tollovisë dhe barokut, ndërruam me fjalë të thjeshta do muhabete të mëdha dhe pas jo shumë minutash i vumë kapak me një fërkim kontruktiv psikologjik dhe politik.

Rozafa, hijerëndë dhe krenare

Kaluam pragum e hotel “Rozafa” të tre njiherësh për të konsumuar takimin konsultativ dhe informues, për t’u përballur me ndryshimet e viteve të kakohëshme. Një taft i freskët u përplas në ne si një horizont që çelet tinzisht me të hyrë në holl. Kumti i shpërfaqur dhe buzëqeshja e hijshme e sportelistes që priti fjalën tonë të përzgjidhte gjuhën, me të cilën do të komunikonte, ishin nistoret e kësaj bujtjeje. Kur shqipja jonë gegnore u artikulua duke u hedhur si një urë, buzëqeshja e saj u shkriftua njëherësh me gjuhën. Bashkëshortja kërkoi mundësi të njihej me kushtet e dhomës dhe çmimin.

Ndërsa ajo me djalin morën ashensorin dhe u ngjitën për t’u njohur me atë që do të ishte strehëza disaditëshe, unë u shkreha në ndenjëset gjysmëhënë prej lëkure, duke soditur ndryshimet e bëra dhe duke shijuar ajrin e kondicionuar. Nuk vonoi dhe bashkëshortja u shfaq. Kur ende nuk kisha formuluar pyetjen sesa dashamirëse ishte strehëza jonë e përkohëshme, dhe ç’u bë i dyti në këtë kqyrje, ajo shtoi: Djali hyri në dush. Domethënë, ne zyrtarisht ishim bujtësit e vetëm shqipfolës në këtë ngrehinë emblematike të qytetit verior.

Perëndim në Rrmaj

Sapo tisi i hollë i muzgut nis të mbështjellë shtatin e qytetit e rruginave nisi të lëshohet batica mbramësore, yshtëm vullnesën me drejtim verilindor të Shkodrës për me sos’ në varrezat katolike. Ky cak mëtonte të ishte një vizitë te varri i tim eti, si një ogur i mirë dhe një bekim për këtë aventurë familjare pushimesh. Gjithnjë më ka magjepsur ajo pamje që të shfaqet sapo kalon pragun dhe hyn në territorin e kishës, ku prehen në përjetësi jetët e pasosuna të krejt atyne që ky truall i vullnesës hyjnore i ka pranuar në gjirin e vet, si një shëlbim për rrugëtimin e tyre të amshuar. Azgja, veç hapave tonë që preknin puhizshëm tabanin e kësaj toke pushimi të pasosun, nuk kishte gjas’ me e prish heshtjen që t’rrethonte gjithkah. Kryqe, kryqe, shtatore shenjtorësh që shenjtërojnë amshimin e këtyre shpirtrave, ndiqnin hapat dhe kureshtinë tonë që zvarrej ngadal për nga e djathta e kapelës së kishës. Kurrkund tjetër nuk mundesh me ndje dimensionin e pafundësisë që të përshkon, përveçse këtu. Atë paqe dëshiruese, kurrkush nuk mundet me ta kungu përplot me besim, se në këtë vend, ku piktakohen jetët dhe shpirtrat, ku ndahen të gjallët me përjetësinë. Më poetike e vizatoi këtë behje mirënjohjeje në Rrmaj, perëndimi, ardhja e të cilit nisi me ra mbi kryqe e shtatore si një mëndafsh i kuq, i cili ngulmon me struk’ përkadalë në gjirin e vet, natën dhe këtë qytet të vdekurish që gjallon mallnueshëm në kënd të Shkodrës. Duke lënë pas dritën e zbehtë të qirinjve, që ndrinin tuj dridh’ si purtek, mbi varrin e tim eti, e tuj marrë me vete një gjendje të amullt kujtimesh dhe kumti, kapërcyem pragun në Rrmaj për t’u kthy në rrëmetin mbramsor të jetës së qytetit.

Të zgjohesh prej kushtrimit falenderues të Zotit

“Një, dy, tre… një dy tre, prova teknike”, ishte ninulla e kësaj dore fjalësh dhe shuplaka e një vullnese vetëdije, ajo që më përmendi atë mëngjes. Një puhi e hollë drite dukej teksa lëshohej si pudër në kurmin e natës që jepte shpirt. Ende nuk po e kuptoja se ç’po ndodhte. Ky zë sa vinte e grushtonte më fort muret e trasha të heshtjes në nadjen e freskët shkodrane. Pas një heshtjeje që nuk nguroi të hynte nga dritarja dhe dera e ballkonit, lënë hapur si të vetmet mundësi kondicionimi, një zë i paqtë kumboi si një davaritje e territ dhe kushtrimi. Kaq do të mjaftonte të hovesha përpjetë e të përfshihesha në këtë ndodhi, së cilës nuk i kisha vënë ende një emër. Brofa te ballkoni i dhomës së Rozafës që shikonte nga qendra e qytetit. Poshtë meje një amfiteatër religjioz kishte marrë jetë, duke zbardhur bashkë me ditën. Përnjëheresh u ndërmenda, ishte Fitër Bajrami. Qëndrova për disa minuta duke kundruar atë pamje që sa vinte dhe përplotësohej si mozaik. Besimtarë të shumtë vërshonin nga të katër anët e qytetit për t’u derdhur rreth këtij zëri që kumbonte dëgjues deri thellë në kurmin e përgjumur të qytetit. Radhë-radhë uleshin në tabanin e rrugës karshi Xhamisë së Madhe, improvizuar si një mundësi për kryerjen e riteve muslimane të kësaj ditë të shenjtë. Tashmë rrezet e para të dritës ngriheshin mbi kreshtat e maleve, duke u lëshuar mbi besimtarët dhe heshtjen, ku ende platitej Shkodra. Ishte i tjetërllojtë ky zgjim në qytetin tim, siç ishte edhe pamja që shpërfaqej në këtë nadje të hertë.

Me fotografi nëpër Shkodrën e rikthyme në hiret dhe nurin e saj

Tuj shëtit nëpër tisin e hollë të gjanave të vyeme dhe kujtimeve, i prekun prej mallit dhe melankolisë, hova. Munda plogështinë dhe mëdyshjet, sfidova k’anden e një gjumi që vërdallej të më kaplonte rishtaz, u vesha, mora aparatin fotografik dhe dola. Kyça në dhomën e hotelit bashkëshoqëruesit në këtë tur shëtitues shkodran, dhe brofa në rrugë. Kishte kohë që më ngucte një vullnesë me u turr’ në Shkodër e më u lëshu përplot me pasion një sipërmarrjeje fotografike, me fokusu çdo copë të këtij hiri hyjnie, që kjo Shkodër ka marrë, me ia dhan’ veten pa droje kësaj prekjeje magjike e kjartësie që kjo bukuri rrezaton sot nëpër ato rrugë, ku më ngucatin kujtime. Kohëshumë kishin mbetur përmbas’ që nuk i isha përvesh një shëtitjeje kësoorëshe në qytet. Nuk mund të them se qysh’kur, po krejçka ngucati kjo shëtitje kishte të bënte me vegjëlinë time. Gjuhadoli, që tash i asht kthy triumfalisht të shkumes së vet shndritëse, më ndërmendi yshtjen që m’sabah në radhët e dyqaneve. Nëpër gjurmët në këto rrugë, një melankoli m’u qas përkundrudh dhe më ndiqte hap pas hapi me hijen që, sa vinte e lëngonte poshtë hapave që ndiqnin njani-tjetrin në kundimin mëngjesor. Në këtë nadje k’andeshumë kisha me u rikthy nëpër tana ata kujtime që më mbajnë t’lidhun kaq ngusht me çdo copë të kurmit të këtij qyteti. Nuk kishte kush i ngucat’ përjetimet e së shkumes, me prek krejtkund ku kisha nejt, me shkel, panalun krejtkah kisha shku. Një rini e allasojt’ ka mujt me ken’ ajo e jona, megjithatë kishte se ç’ka me m’rrëfy në këtë shtegtim. Sakaq nuk kisha të ngopun së shtypuni butonin e shkrepjes së “Fuji Film”-it. Kisha një ngasje me fokusu çdo pëllëmbë të kësaj rendjeje nëpër shtigjet e s’shkumes. Pothuaj e gjithë zemra e Shkodrës ishte struk’ në kartën 4 GB të aparatit tim modest, e krejt atë rijetim kujtimesh, kishte mujt me e xan në të kjo k’andë, për me marrë krejtçka, e mos me lan’ pa marrë kurrgja. U ktheva në dhomën e hotelit, me një pash diell, ndërsa bashkëshoqëruesit ende kridheshin në gjumë.

Zogaj, krap dhe liqen

Fshati Zogaj struket në perëndim të qytetit të Shkodrës, jo më larg se 9 kilometra. Ai kufizohet në perëndim nga Kraja, në lindje nga Shiroka në jug e fillëron Taraboshi dhe në veri e përkëdhel me ujërat dhe pamjen magjepsëse, Liqeni i Shkodrës. S’kishte gjas’ të mbetej jashtë k’andes për me e vizitu dhe shiju Zogajn, këtë vend që ka mbirë mbi shkëmb, dhe jetën banorët e tij e kanë degëzuar mbi liqen. Prej s’largti në fëmijërinë time, im at’ më kishte fol’ për këtë fshat të pazakontë, këto banorë zemërbardhë dhe manat që kishin mpleksur rrënjët në shkëmb e ngriheshin mbi ta si mbi kama mitike. Rrugës sonë për atje iu shtua edhe daja Iliri. Dielli i gushtit përcëllonte, ora kur sosëm atje ishte pika e zhegut. Megjithatë kjo nuk u kthye në mpirje e vullnesës sonë të mirë për ta kundruar atë, për ta lëmur’ syprinën joshëse si mëndafsh të liqenit. Në kthim, pa gjas’ ishte për me u largu pa një kujtim gastronomik, pa shijen e krapit të liqenit, pa sprovu bujarinë dhe sejdisjen e këtyre njerëzve. Pa shumë salltanete dhe krejt pa ojna, ishte bujtina ku ngulëm të drekonim, e cila natyrisht rrinte porsi një soditës mbi liqen.

Qershi mbi tortë e kësaj andje plot shend ishte Shiroka dhe perëndimi, në kthim. Një dielli majahosh që platit mbi liqen si medaljon zjarri u bë kartolina e radhës. Ajo Shirokë që gjetëm, kurrsesi nuk ishte e t’shkumes teme jo shumë të largët dhe proverbit “T’marrsha të keqen moj Shirokë, kokrra e rans ma e madhja n’botë”. Nuk hetum gjurmë të dyndjes së pushuesve, e për më pak t’kishte nga ato syresh që ngulnin për t’u përfshirë në zjarrin e flakëve të këtij perëndimi, me përjashtim t’bujtësve të mbramjes, si dhe ne, pa harruar dhe amatorët e peshkimit, të cilët rëndom janë të ardhun enkas nga qyteti.

Dugajt e reja dhe shëtitorja

Është pothuajse gjithçka që Shkodra mundet me ngas’ dhe me e dhan’ pa kursim që nga vendaliu e deri te kureshtia e krejt’kujt, me kast edhe të huajve, të cilët kanë dëgjuar dhe përcjell’ prej s’largu për rrugën e Dugajve t’reja, e qujtun administrativisht “Kol Idromeno”. Pedonalja, kamsorja e prume në shqip, është një nga joshjet më të epshme për kandën e sekujt që vjen në Shkodër. Kësisoj, nuk kishte se si mos t’jetë edhe për ne si e tillë, pas namit të madh dhe nusërimit që ka lëshu në vete kjo copë e hershme e historishumë e qytetit verior. Për këtë shëtitore, dugajt e kësaj rruge, zanatçinjt’ dhe tregtarët e saj është folur dhe është shkruar pafund. Në vete ajo mban edhe shumë gojëdhëna dhe legjenda urbane të gostituna dhe të mylmyme me shumë shije dhe sharm. Kishte shku do natë kur zume vend në një nga të panumërtat lokale që, sa vinin dhe po i merrnin frymën kësaj mushkërie të transplantuar. S’do të ishte me rëndësi as porosia dhe as shërbimi, sa do të merrte vëmendje shëmbëllimi që mëtonte vetiu, ajo që derisot quhej kamsore dhe tashembas, do të ishte më e gjetur të ishte dhe të funksiononte si një pasarelë mbrëmjejeje, ku shkodranë e të ardhun, përgatiten me shumë kujdes për shëtitjen e “dukjes”. Këtu njerëzit vijnë për të pa dhe për t’u pa. Në të dy anët e mbetura, pa u zënë me karrike dhe tavolina vërshon radhë-e radhë valëzimi mbramësor i kërshërisë. Për ata që dalin s’pariherë në këtë paradë është shumë e sikletshme. Qindra sy dhe vështrime të vëzhgojnë me ngulm dhe pareshtur. Azgja nuk hyn dhe del nga kjo pasarelë gjigande pa u vëzhguar dhe komentuar. Ky sëmbim zgjaton deri para orëve që paralajmërojnë mesnatën, kohë kur nis të davaritet reja e njerëzve dhe qyteti hidhet në prehnin e ëndërrimeve. Ikëm edhe ne, duke marrë me vete një lëndim dhe dhimbje, që ka të bëjë me atë që kishte molepsur kaq shpejt këtë hir të Shkodrës, këtë pamje që e gjejmë të fokusuar në andje dhe kartolina personale, mijëra herë nga dashnorët e bukurisë dhe sharmit. Nga një këmbësore dhe disa stola për bujtësit e mbrëmjes dhe hijeshinë e vajtje-ardhjes, kuvendimit dhe falmeshnetet mesvedi, Rruga “Kol Idromeno” ishte transformuar në një pasarelë, pijetore kolektive dhe zhagitje e pështirë interesash përfitimi. E shëmtuara e kësaj bukurie ishte padyshim larushia e çadrave që ndereshi mbi kokat e bujtësve, turlillojshmëria e firmave dhe patentave të pijeve dhe gostive që jargiste shumndhyrshëm marketing dhe pabukuri. Ajo që ishte andja dhe dëshira më e madhe e Shkodrës, m’u ba zehri ma i hidhët dhe zhgënjimi ma i madh. Gjithpoaq k’anda ma kishte me kundru e me e shiju ashtu siç duhej të ishte dhe mbeta në përpjekjen teme të mëdysht’ për me e pranu ashtu siç e kishin katandis’.

Nata e epilogut

Tashma nata ka mbështjellë krejt shtatin tënd Shkodër Loce. Ngadalë, hapave të mbramë i vihen nga pas pëshpërimat dhe tafti i freskët i natës së fundgushtit dhe turri jem për me e mbyll’.

Dritat dhe prekjet tinzare llamburisin në këtë kredhje mesnate. Një ditë ke lënë pas, qyteti im dhe unë në vete, vite dhe kujtime kam struk’ në përmallim. Pas hiqen zvarrë rrugëve të tua, kujtime dhe derte, lëndime dhe andrrime, ankime e lëngime. Hiqen zvarrë e struken nën dritat që përgjojnë ngultas krejt këtë lojë fryme e hijesh ikanake e ne kundrojmë. Nata t’ka veshur qyteti im dhe ti sërish kumton hiret e një nuseje që drojshëm nën duvak, k’andet me ladru nëpër kujtime dhe dëshirime. Duke vështruar yjet mbi qiellin tënd, pafundësinë e dëshirës me të dasht’ përjetësisht me të njëjtin passion, ndjej teksa më pëshkon si një prekje ngjethëse ikja. Erdha e më duhet me t’lanë në shenjtnin’ tande, duke ikun me zemrën plot e me hovin peshë, me ty në sy e në shpirt, Shkodër, k’and e pashoqe përmallimi.

Shkoder-Gusht-2013-foto-albert-vataj Shkoder-Gusht-2013-foto-albert-vataj (1) Shkoder-Gusht-2013-foto-albert-vataj (2) Shkoder-Gusht-2013-foto-albert-vataj (3) Shkoder-Gusht-2013-foto-albert-vataj (4) Shkoder-Gusht-2013-foto-albert-vataj (5) Shkoder-Gusht-2013-foto-albert-vataj (6) Shkoder-Gusht-2013-foto-albert-vataj (7) Shkoder-Gusht-2013-foto-albert-vataj (8) Shkoder-Gusht-2013-foto-albert-vataj (9) Shkoder-Gusht-2013-foto-albert-vataj (10) Shkoder-Gusht-2013-foto-albert-vataj (11) Shkoder-Gusht-2013-foto-albert-vataj (12) Shkoder-Gusht-2013-foto-albert-vataj (13) Shkoder-Gusht-2013-foto-albert-vataj (14) Shkoder-Gusht-2013-foto-albert-vataj (15) Shkoder-Gusht-2013-foto-albert-vataj (16) Shkoder-Gusht-2013-foto-albert-vataj (17) Shkoder-Gusht-2013-foto-albert-vataj (18) Shkoder-Gusht-2013-foto-albert-vataj (19) Shkoder-Gusht-2013-foto-albert-vataj (20) Shkoder-Gusht-2013-foto-albert-vataj (21) Shkoder-Gusht-2013-foto-albert-vataj (22) Shkoder-Gusht-2013-foto-albert-vataj (23) Shkoder-Gusht-2013-foto-albert-vataj (24)

Italiani 35-vjeçar që njëtrajtëson njeriun me natyrën nëpërmjet ngjyrave

Lini një koment

Nuk ka fund për ambiciet artistike dhe ngulmin e njeriut për të pjesëmarrë veten në çdo fantazi dhe për të transformuar njeriun në një ngasje estetike dhe qëmtesë joshëse dhe manipuluese ngjyrash. Artist kthen njeriun në kafshë, fruta dhe peizazhet në piktura të mahnitshme të frymëzuara nga natyra. Eshtë Johannes Stoetter ai transformon modele që jetojnë në objekte të frymëzuara nga natyra. Krijimet marrin deri në pesë muaj për të planifikuar dhe tetë orë për të realizuar. Pra një përpjekje jo e çfarëdoshme. Gama dhe larmia nuk ka cak. Ato përfshijnë një bretkocë të përbërë nga tre njerëzit, kafshët, fruta dhe pemë. Krijimet mahnitëse kanë fituar atij titullin “bodypainting” botëror

Bodypainter të mirë në botë luan truket me mendjen me artin e trupit të pabesueshme në të cilën subjektet e tij zhduken në prejardhje e tyre. Talenti i ngjyrave dhe fantazisë, Johannes Stoetter ka zëvendësuar kanavacë me trupin e njeriut, duke e transformuar modelet e tij që jetojnë, në objekte të frymëzuar nga bota natyrore. Johannes, 35 vjeç, shpenzon deri në pesë muaj për planifikimin dhe përsosje secili nga krijimet e tij të mahnitshme. Çdo vepër e artit pastaj merr jetë deri në tetë orë. Kaq janë të nevojshme për të përfunduar duke përdorur bojë të veçantë “breathable”.

Krijimet e fundit dhe më mbresëlënëse është një bretkocë të gjallë tropikale në pemë, duke përdorur pesë persona për të rikrijuar trupit të kafshës, këmbët e armëve dhe kokën. Johannes, nga Tiroli i Jugut në Itali, i tha: “Unë e bëri eksperiment e parë “bodypainting” në vitin 2000. “Pesë vjet më parë kam pasur idenë për të pikturuar një trup njerëzor. Përvoja ishte aq e veçantë që kam kërkuar për të bërë atë përsëri menjëherë – Unë të kërkuar për të provoni atë me ngjyra të ndryshme, një model të ndryshëm dhe një motiv të ndryshëm.”Unë nuk mund të imagjinohet se nuk do të jetë një mënyrë për të fituar para me bodypainting, por megjithatë unë isha i bindur plotësisht se unë të kërkuar për të bërë atë – Unë ndjeva se kjo ishte mënyra ime. ‘Unë kuptova në lidhje me kampionatin botëror bodypainting dhe mori pjesë për herë të parë në vitin 2009.

Pergatiti: Albert Vataj

Punët e italianit Johannes Stoetter Punët e italianit Johannes Stoetter (1) Punët e italianit Johannes Stoetter (2) Punët e italianit Johannes Stoetter (3) Punët e italianit Johannes Stoetter (4) Punët e italianit Johannes Stoetter (5) Punët e italianit Johannes Stoetter (6) Punët e italianit Johannes Stoetter (7) Punët e italianit Johannes Stoetter (8) Punët e italianit Johannes Stoetter (9) Punët e italianit Johannes Stoetter (10)

Pjer Bejl: Ai dyshonte në mënyrë përfundimtare në lirinë e vullnetit

Lini një koment

Pierre Bayle, French philosopherBEJL, Pjer (BAYLE, Pierre), filozof dhe iluminist franc. (1647-1706).

Profesor i filozofisë në Universitetin e Sedanit, nga i cili së shpejti largohet për shkak të antidogmatizmit dhe të mendimit skeptik ndaj mësimeve të krishtera. Pastaj emigroi në Holandë ku një kohë të shkurtër ishte profesor i filozofisë në Roterdam. Së andejmi e dëbuan gjithashtu kësaj here teologët protestanë.

Ai është autor i Fjalorit historik dhe kritik të përmendur, i cili e bëri të famshëm dhe që shënon fillimin e epokës së iluminizimit, kështu që në këtë drejtim është një nga paraardhësit më të rëndësishëm të enciklopedistëve francezë. Luftëtar i pasionuar për tolerancën fetare dhe intelektuale, posedues i njohurisë enciklopedike kolosale, që urren në mënyrë superiore të gjitha format e bestytnisë, humanist dhe skeptik, mendimtar kritik që shquhet për qartësi të kristaltë dhe që njësoj e pa kompromis heq maskën nga hipokrizia katolike dhe protestante. Bejli shënon fillimin e një epoke të re: epokë e cila arsyen e vë në piedestalin e vlerës më të lartë dhe e cila beson në mënyrë idealiste në formimin e bindjes dhe në arsimimin me anën e tezave të arsyes së shëndoshë, të kuptueshme dhe të arritshme për çdo njeri.

Në «Fjalorin» e përmendur të tij, shkruan: «Në qoftë se doni të besoni vetëm në atë që është e qartë dhe që pajtohet me nocionet përgjithësisht të pranuara bëhuni filozof dhe hiqni dorë nga doktrina e krishterë. Nëse dëshironi të besoni në sekrete religjioze, bëhuni i krishterë dhe hiqni dorë nga filozofia…» Se mendja njerëzore është gjykatës më e lartë e vetvetes, se filozofia është e mundshme pa teologji dhe se me të pikërisht është e papajtueshme – këtë Bejli e shpjegoi vazhdimisht dhe me shumë bindje, mirëpo njëkohësisht është persekutuar dhe larguar vazhdimisht nga fakulteti prej obskurantistëve dhe teologëve në Francë dhe në Holandë. As këto persekutime, as vrasja e vëllait, as djegia e librave të tij, nuk e detyruan Bejlin të bënte kompromise: duke hapur rrugë të reja, ai i mbeti konseguent vetes, me qëndrimin moral dhe intelektual ishte jokonformist, kështu që në historinë e filozofisë do të përmendet më shumë për ndikimin e tij që ushtroi në gjeneratat e ardhshme sesa për zgjidhjet e veta origjinale dhe të arriturat filozofike eminente. Ai dyshonte në mënyrë përfundimtare në lirinë e vullnetit, kurse me skepticizëm pohon se është vështirë të vërtetohet ekzistimi i materies dhe i lëvizjes dhe se shkalla më e lartë e njëmendësisë e arritshme për njeriun është vetëm probabiliteti. Duke qëndruar në suazat që të tregojë kundërshtitë, kundërthëniet dhe paqëndmeshmërinë imanente të dogmatikës së krishterë, duke dyshuar me mendjeprehtësi në çdo gjë që nuk përputhet me arsyen, Bejli paralajmëron lëvizjen e cila me gjithë kufizimet e saj do të mundësojë lulëzimin e hovshëm të filozofisë liberale dhe triumfin e asaj profane mbi të shuguruaren.

Veprat kryesore:

Dictionnaire historique et critique (vëll. I-II, 1695-97); të gjitha 16 vëll. Paris, 1820; Pensees sur la Corneta (1682); La France toute catholique sous le rëgne de Louis le Grand (1685).

Older Entries