Shkëlqimi dhe rënia e një festivali

 

Faik ISLAMI Baftjar DOBI

Nga Gjirokastra nisën ato festivale madhështore, ku u shpërfaqën vlerat më të mëdha të kulturës sonë popullore, kulturës së kombit. Shumë mjeshtër të artit botëror, që patën parë ato festivale masive të Gjirokastrës, janë shprehur të mrekulluar për niveli

Në vitin 1967 u vendos që të niste puna për përgatitjen e një ceremonie të tillë, ku në mënyrë masive grupe nga të gjitha krahinat dhe viset shqiptare të konkurrohej para një publiku të gjerë. Në tetor të vitit 1968 u shpall vendimi për organizimin e Festivalit Folklorik në Gjirokastër. Ceremonia festive, apo si u emërtua Festivali i Gjirokastrës, u pa si oguri më i madh për gurrën popullore. I organizuar në mënyrë të përsosur prej shtetit, i cili kishte aftësinë të mobilizonte masën e madhe të artistëve, këngëtarëve, kërcimtarëve, poetëve dhe shkrimtarëve, për një art popullor të paparë, festivali i parë u shfaq si manifestimi më i madh kombëtar i artit dhe kulturës. Festivalet e zhvilluara në Gjirokastër, në ato vite, ishin me të vërtetë masive. Në fazat eliminatore angazhoheshin mbi 70 000 veta me këngëtarë e artistë të të gjitha gjinive të artit. Prej kësaj përzgjedhjeje, dilte një përfaqësim numerik artistësh, prej 2200 vetash. Jo më kot nga festivali i parë tek i pesti, vetvetiu doli ideja që solli për emër “Hedh valle e gjithë Shqipëria”. Sepse në Gjirokastër bëhesh festivali, por merrte pjesë me këngët e trevës, qysh një vit përpara, për të përfaqësuar artin që kishte tradita e cilësdo zonë të Shqipërisë. Pra ishte me të vërtetë e gjithë Shqipëria në ato këngë. Fitnete Rexha nuk ishte prej Gjirokastre, por në të dymbëdhjetë vargjet e këngës së saj, “Gjirokastra Jonë”, që nis me fjalët e zemrës së saj, prej artisteje të paarrirë shprehej: “…Gjirokastra në shpat mali/ Guri shekullor”…. Po kështu emocionuese dhe të çimentuara në memorien historike të gjithë popullit janë këngët e grupeve të Ersekës “…Hajt të vemi në ato male/ mbushur trëndelinë…”; të Krujës e Përmetit “…Dy kala porsi dy motra”; të djep kulturës tropojane si: “Për herë të parë veshur nuse/ Në Gjirokastrën Gjeraqinë/ Dil moj nanë, krushqit po vijnë”. Këngë kjo me dymbëdhjetë vargje të mrekullueshme, që ngriti peshë tërë spektatorët e shumtë të tribunës madhështore, rrethuar prej shpatullave të Malit të Gjerë. Nuk mungojnë edhe këngët e kënduara për Atdheun, punën në kuadrin e sistemit, jetën dhe ashtu me vështirësi, apo dhe për heronjtë e të gjitha kohërave, si respekt dhe mirënjohje për veprat e tyre, por që edhe të mbeten ato të freskëta në memoriet e brezave, që këtij popullit të vogël nuk i kanë munguar kurrë. Kanë kaluar shumë vite, por kënga e “Çelo Mezanit”, “Janinës ç‘i panë sytë”, kënga e “Selam Labit”, “Mbeçë more shokë mbeçë/ Përtej Urës së Qabesë, Selam mi bëni nënesë…!”, e ta pavdekshmit nga Skrapari, bilbili i këngës, Demir Hyska dhe një mori këngësh të tjera, u kthyen gati në himne. Aty mori rrugën e njohjes nga e tërë bota e kulturuar, perla jonë kombëtare, polifonia. Nuk është e rastit që Gjirokastra jonë, e mbetur aty ku ka qenë në shekuj, në “Shpat Mali” është ndër qytetet e rralla në të gjithë botën që të ketë aq shumë këngë për të dhe madhështinë e saj, në traditë, në kulturë, në pritje e përcjellje, në nikoqirllëkun, në vlerësim të artit e kulturës, të së bukurës dhe në kontributet e mëdha për çështjen kombëtare. Nisën nga Gjirokastra ato festivale madhështore, të një kulture gjithë popullore, që i dhanë emër në të gjithë botën, kulturës së kombit. Shumë mjeshtër të artit botëror, që patën parë ato festivalet e Gjirokastrës, janë shprehur të mrekulluar për nivelin e lartë artistik të kulturës së popullit tonë. Mjaft studiues të artit nga Anglia, Gjermania, Franca, Italia e Greqia, shkrimtarë, artistë, muzikologë dhe historianë janë shprehur: “Çfarë do të donte më shumë një komb se sa të shikojë këtë festival kulture?!”. Drejtoresha e Institutit Meksikan të Kulturës, Selia Gorsia Gorduja, pasi pa një nga festivalet e Gjirokastrës është shprehur: “Qyteti i Gjirokastrës është për mua një vend i mrekullueshëm për të realizuar festivale folklorike. Unë jam e emocionuar dhe shumë e lumtur që takoj me këtë rast një popull, i cili këndon me shpirt e krenari këngët e tij”. Mjafton të sjellim në kujtesë të lexuesve, se ishte ajo kohë dhe jehona e atyre festivaleve, që na dha Europa e kulturuar “Gjerdanin e Artë”, në Dizhon. Sot nuk marrim dot asnjë gjerdan prej leckash pa le më të artë. Janë të asaj kohe polifonitë, që emigrantët tanë shpërndarë në të gjithë botën, e ndërsa sot e kësaj dite i dëgjojnë ato këngë polifonike të atyre viteve, gjatë hapjes së emisioneve televizive të kanaleve prestigjiozë, si në atë të Toronto, Kanada, të Hanoverit, Gjermani e plot stacione të tjera në botë. E gjitha kjo nuk është “rrëshqitje” në narcizizmin e vetëmburrjes, por një realitet kulturor i arrirë mjeshtërisht, prej artit tonë popullor pikërisht në atë sistemin e kaluar. (Të mirat nuk mund të mohohen!) Mjerisht i lënë të myken nga sistemi i ri. Kjo padyshim është çështje botëkuptimi, është problem niveli kulturor, i drejtuesve të shtetit, posaçërisht i ministrave të “Kulturës” në këto vitet e pluralizmit. E themi këtë se u bënë kaq vite që Gjirokastrës i mungojnë këto festivale. U fol për ta bërë një në vitin 2000, pastaj u shty për në 2004. Nano “gjinakastraliu”, pat vendosur ta bënte një në 2008, por nuk i hapi udhë 2005. Pango… “gjinakastraliu” meqë viti 2008 përkoi me përvjetorin e Enver Hoxhë “diktatorit”, e shtyu për në 2009, por nuk e lanë “mbërtheckat”. Priti dhe pret akoma Gjirokastër zonja. Atje ku ka qenë, në shpat mali, ku e la e pavdekshmja Fitnete Rexha. Gjirokastra është po aty ku ka qenë, në madhështinë e saj, në shpat mali e mbrojtur prej shpatullave me gurët shekullorë të Malit të Gjerë. Që andej shikon me sytë e saj gjigantë, se si “Turbo Folku” i guraxixave të kohës tenton të bastardojë perlën polifoni. Por isos me grykët të azgënëve të polifonisë nuk arrin t‘ia thyejë origjinalitetin një kulturë “e re”, por që nuk është kurrsesi origjinale. E para është e pavdekshme, e dyta harrohet sapo dëgjohet një e dytë. E para, polifonia ka mahnitur botën, e dyta po e shurdhon botën. Me folke dhe instrumentet zhurmëmëdha dëmtohet origjinaliteti i një arti që ka kohë i vendosur në thesarin e artit botëror prej UNESCO-s. Por le t‘i kemi që të dyja xhanëm! Me këto lloj fest folkesh të organizuara, si për inat të Gjirokastrës, nuk brengoset kjo nënë aq e madhe, por asaj i vjen keq për derexhenë ku katandisën ministrat e Kulturës së këtij vendi. Me këtë frymë nihiliste dhe me këtë ecuri në kulturë, zor se do ta ketë fatin ndonjë ministër Kulture të marrë së paku një fletë lavdërimi a mirënjohje, pa le më Gjerdan të Artë. Do të uronim që ministri i ri i Kulturës, Ferdinand Xhaferi, të distancohej nga puna e pakulturuar e ish-paraardhësve të vet dhe të mund ta shpinte polifoninë edhe përtej. “Pusit të Sulejmanit e Çelo Mezanit”! Gjirokastra pret aty, ke Sheshi i Çeços, “Bashteja e Teqesë”, Pallati i Sportit apo tek kryesheshi, “Mbi Kala” që të gjëmojë polifonia, të ecë përpara dhe të pasurohet më shumë historia e artit popullor, edhe pse në këtë stad zhvillimi, realitetet mund të sjellin më shumë këngë të stilit “Trinos” (ligjërime, vaje). Por kur e mira nis të ecë nga gjiri i popullit buis mirësia për këngë gëzimi, shprese, dashurie, jete. Duhet vazhduar ritmikisht tradita e Festivalit të Gjirokastrës, sepse të gjithë i kemi borxhe kulturës së kombit, vetë Gjirokastrës… Arti që vërshoi në ato tribuna festivalesh nuk ishte arti i Enver Hoxhës dhe shumë pak për të, por i të gjithë popullit. Do ta uronim me këtë rast ministrin e ri të Kulturës që ta fillonte punën me kulturën, nga Gjirokastra. Atje, në atë shpat mali!